Kinë, mbytet në lumin Jance anija me 450 persona në bord

02/06/2015 00:00

Një anije me të paktën 450 persona në bord është mbytur pas një stuhie në lumin Jance, në jug të vendit.

Lajmi është raportuar nga media shtetërore kineze. Deri tani, autoritetet kanë arritur të shpëtojnë vetëm 8 persona, ndërsa operacioni i shpëtimit është ende duke vazhduar.

Agjencia kineze e lajmeve “Xinhua” shkruan se edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, është nisur për në vendin e ngjarjes.

Anija ishte nisur nga qyteti lindor i Nanjing dhe do të mbërrinte në qytetin Chongqing, në jugperëndim të vendit.

Mësohet se në bordin e anijes “Eastern Star” ndodheshin 405 pasagjerë, të gjithë kinezë, 5 punonjës të agjencive të udhëtimit dhe 47 pjesëtarë të ekuipazhit.

Kapiteni i anijes dhe kryeinxhinieri, të cilët arritën të shpëtonin, kanë thënë se “shkak i mbytjes së anijes ishte cikloni, ndërsa fundosja ishte e shpejtë”.

“Erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut, që ende janë duke vazhduar po pengojnë operacionin e shpëtimit”, kanë thënë autoritetet vendase.

Top Channel