Strategjia anti-ISIS diskutohet në takimin e Parisit

02/06/2015 00:00

Strategjia për të luftuar militantët e ISIS do të jetë tema kryesore e takimit që do të mbahet sot në Paris, me pjesëmarrjen e ministrave nga 20 shtete.

I pranishëm në këtë takim do të jetë edhe Kryeministri i Irakut, por do të mungojë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, për shkak të një aksidenti me biçikletë të ndodhur dy ditë më parë, në Zvicër.

Takimi do të mbahet në një periudhë, kur militantët e Shtetit Islamik morën nën kontroll edhe qytetin irakian të Ramadit, muajin e kaluar. Ndërsa Irani është bërë gjithnjë e më i varur nga paraushtarakët shiitë, të cilët kanë marrë frerët e fushatës për të zmbrapsur Shtetin Islamik nga provinca perëndimore e Anbarit. Por kjo lëvizje ka shtuar frikën mbi mundësinë e përkeqësimit të tensioneve sektare.

Rolin në luftë për milicët shiitë në zonat sunite, Franca e ka konsideruar “një situatë tejet të brishtë”.

“Ministrat do të diskutojnë për një zgjidhje politike të qëndrueshme, në mënyrë për të zgjidhur krizën në Irak”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme franceze.

Takimi do të mbahet një ditë pasi të paktën 45 policë irakianë u vranë në një sulm në provincën e Anbarit në Irak.

Top Channel