Avionë ushtarakë rusë fluturojnë pranë luftanijes amerikane

02/06/2015 00:00

Avionë ushtarakë rusë kanë kryer në ditët e fund fluturime pranë një anijeje ushtarake amerikane që lundronte në Detin e Zi.

Lajmin e ka bërë të ditur Pentagoni, ndërkohë që mediat ruse raportuan se anija “USS Ross” po vepronte në mënyrë “agresive”.

Megjithatë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes deklaroi se anija ndodhej në ujëra ndërkombëtarë gjatë gjithë kohës, duke kryer operacione rutinë.

Marina amerikane publikoi të hënën videon e një avioni rus që kalonte rreth 500 metra larg “USS Ross”.

“Ekuipazhi i anijes veproi në mënyrë provokuese dhe agresive, gjë që vuri në lëvizje operatorët që monitorojnë stacionin dhe anijet e flotës së Detit të Zi”, tha një burim ushtarak, i cituar nga mediat ruse.

“Për rrjedhojë, avionët “Su-24” i treguan ekuipazhit amerikan gatishmërinë për të ndaluar një shkelje të mundshme të kufijve detarë dhe për të mbrojtur interesat e vendit tonë”, tha më tej burimi.

Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren deklaroi të hënën se avionët rusë nuk ishin të armatosur dhe se anija “USS Ross” vazhdoi kursin e saj.

Vendndodhja e anijes në Detin e Zi ishte njoftuar publikisht, – vijoi zëdhënësi, – ndërkohë që Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e komentoi ngjarjen.

Gjithsesi, incidenti i ndodhur në Detin e Zi është sinjali i fundit i tensioneve ushtarake mes Rusisë dhe Perëndimit, për shkak të konfliktit në lindje të Ukrainës.

Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia ngritën në ajër avionët e tyre luftarakë, për t’u bërë kontrast atyre rusë që fluturonin në afërsi të kufijve të tyre.

Top Channel