Kanada, super-gjobë gjigantëve të duhanit

02/06/2015 00:00

Një gjykatë në Kanada ka urdhëruar tre kompani të duhanit që të paguajnë një gjobë prej 15.5 miliardë dollarë kanadezë, ose 12 miliardë në dollarë amerikanë, më e madhja e dhënë ndonjëherë në historinë e vendit.

Paditës në këtë rast ishin duhanpirësit e Kebekut, të cilët deklaruan se firmat nuk i kishin paralajmëruar si duhet për rreziqet që i kanoseshin shëndetit të tyre nga konsumimi i duhanit.

Nga ana e tyre, kompanitë “Imperial Tobacco”, “Rothmans Benson” dhe “JTI-MacDonald” kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin. Padia ndaj kompanive gjigante ishte bërë në vitin 1998, por vetëm së fundmi çështja përfundoi në gjykatë.

Kompanitë pretendojnë se kanadezët janë tërësisht të vetëdijshëm mbi rreziqet që vijnë nga duhani që prej viteve ’50.

“Kjo vetëdije është përforcuar nga paralajmërimet për kujdes shëndetësor të printuar në çdo paketë të ligjshme cigaresh për më shumë se 40 vjet”, deklaroi “JTI-MacDonald”, në një komunikatë për shtyp.

Por pala paditëse argumentoi se kompanitë nuk i paralajmëronin si duhet klientët e tyre dhe se kishin dështuar në detyrën e tyre parësore që “të mos u shkaktonin dëme personave të tjerë”, thotë vendimi i Gjykatës Supreme të Kebekut.

Paditësit ishin rreth 1 milion duhanpirës që nuk ishin në gjendje të hiqnin dorë nga duhani ose që vuanin nga kanceri në grykë e mushkëri ose nga emfizema.

Top Channel