Vdes në moshën 55-vjeçare Charles Kennedy, ish-lideri i Liberal-Demokratëve

02/06/2015 00:00

Ish-lideri i Partisë Liberal-Demokrate në Britani, Charles Kennedy, ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në Fort William, në moshën 55-vjeçare.

Familja e tij ka bërë të ditur lajmin, duke shprehur dhe hidhërimin për humbjen e “burrit dhe babait të dashur”. BBC shkruan se nuk është dhënë asnjë shkak për vdekjen e tij, por policia thotë se nuk ka dyshime.

Z. Kennedy drejtoi partinë e tij nga viti 1999 deri në 2006-n, dhe humbi vendin në Parlament muajin e kaluar.

David Cameron, Nick Clegg dhe Nicola Sturgeon kanë shprehur ngushëllimet e tyre, ndërsa ish-kryeministri Tony Blair tha se vdekja e tij ka qenë “një tragjedi”.

Kryeministri David Cameron tha se “është thellësisht i hidhëruar” nga lajmi. “Ai ishte një politikan i talentuar, i cili vdiq shumë i ri. Ngushëllimet e mia për familjen e tij”, shkruan Cameron në Twitter.

Nick Clegg, i cili dha dorëheqjen nga Partia Liberal-Demokrate muajin e kaluar, tha se Kennedy “kishte më shumë talent politik në gishtin e tij të vogël, se të gjithë ne të tjerët bashkë”.

Top Channel