Maqedoni, Kundërzbulimi paralajmëron “raprezalje” ndaj mediave

02/06/2015 00:00

Agjencia e Kundërzbulimit në Maqedoni njoftoi se ka ngritur padi penale ndaj mediave që kanë publikuar të dhëna për personat e punësuar në këtë agjenci.

“Shfaqja publike e identitetit dhe fotografive të të punësuarve në Agjencinë e Kundërzbulimit përbën kërcënim për sigurinë e tyre personale, për sigurinë e familjeve të të punësuarve dhe kërcënim për përgjegjësitë dhe metodat e punës së agjencisë, të përcaktuara me ligj”, thuhet në një komunikatë për shtyp të Agjencisë.

Nga ky institucion pohojnë se Agjencia ka bërë “paralajmërim të hershëm” në kuadër të përgjegjësive të saj, për raste konkrete të verifikuara në Gushincë dhe në Kumanovë.

“Agjencia e respekton lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si vlera të rëndësishme demokratike, por gjithmonë do të reagojë para institucioneve përgjegjëse për publikimin e informacioneve të klasifikuara, që kanë pasoja të rënda ndaj sistemit të sigurisë së Republikës së Maqedonisë”, thuhet më tej në komunikatë.

Ky reagim vjen pas pohimeve mediatike se një inspektor i Kundërzbulimit ka pasur takime me liderët e grupit të Kumanovës dhe se ai ka marrë pjesë në inskenimin e tragjedisë. Shumë nga mediat në Kosovë zbuluan identitetin e këtij inspektori.

Top Channel