Arkitekti i Gjermanisë së bashkuar, Helmut Kohl, nën “kujdes intensiv”

02/06/2015 00:00

Ish-kancelari gjerman dhe arkitekti i ribashkimit të RFGJ-së me RDGJ-në, Helmut Kohl, ndodhet në gjendje tepër të rëndë shëndetësore dhe nën kujdesin intensiv të mjekëve, pasi iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal të zorrëve.

Lajmi bëhet i ditur nga raportime të medias gjermane, sipas të cilave, konservatori 85-vjeçar është i shtruar në klinikën e Heidelbergut. Edhe pse klinika është bërë e ditur nga “Der Spiegel”, asnjë koment zyrtar nuk është bërë qoftë nga bluzat e bardha, ashtu dhe nga zyra e ish-kancelarit.

I mbiquajtur shpesh si “babai i ribashkimit” të Gjermanisë ka qenë Kancelari më jetëgjatë i këtij vendi, përfshirë edhe periudhën e fundit paqësore të Luftës së Ftohtë; më konkretisht prej vitit 1982 deri më 1998.

“Der Spiegel” e ka përshkruar gjendjen e tij si tepër “kritike”, duke cituar burime pranë ish-kancelarit. Ndërsa sipas revistës “Bunte”, Kohl ka qenë i pavetëdijshëm prej një kohe të gjatë, që pas ndërhyrjes kirurgjikale. Revista gjermane bën të ditur se ai i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje tjetër gjatë muajit maj dhe i është dashur të shtrohet në një qendër rehabilitimi këtë muaj.

Top Channel