Kërkon ndihmë dhe armë, Iraku: Avancimi i ISIS, dështim i të gjithë botës

02/06/2015 00:00

Avancimi i Shtetit Islamik në Irak, për kryeministrin e këtij vendi të munduar nga konfliktet, është një dështim i të gjithë botës.

Sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe Iranit ia kanë vështirësuar Bagdadit, sipas tij, blerjen e armëve dhe vendi, së fundmi, nuk ka siguruar praktikisht asnjë armatim.

Nga Parisi, ku merr pjesë në bisedimet e zyrtarëve të lartë nga 20 vende të ndryshme, të fokusuara te mënyrat e përshkallëzimit të luftës kundër Shtetit Islamik, Haider al-Abadi u shpreh se Irakut i nevojitet ndihma e të gjithë globit, për të frenuar përparimin e Shtetit Islamik, por deri tani nuk ka parë ndonjë mbështetje të madhe.

“Mendoj se ky është një dështim për botën. Flitet shumë për mbështetjen, që do t’i jepet Irakut, por pak shihen këto premtime në terren. Fushata nga ajri nuk mjafton. Mbikëqyrje ka shumë pak. Militantët e ISIS-it janë vazhdimisht në lëvizje, e zhvendosen në grupe të vogla. Çfarë po bëhet tani, nuk mjafton për t’i kontrolluar”, tha Haider al-Abadi, kryeministër i Irakut.

Rusia, Irani e Siria nuk marrin pjesë në bisedimet e Parisit. Zyrtarët e mbledhur në kryeqytetin francez do të fokusohen më së shumti te rimarrja e qyteteve të pushtuara nga ISIS, si dhe rrugët për të bllokuar fondet dhe fluksin e luftëtarëve të huaj, që i bashkohen pa reshtur militantëve të dhunshëm islamikë.

Pavarësisht sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar, të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, ISIS ka vazhduar të avancojë në Irak. Muajin e kaluar, ndjekësit e tij morën Ramadin, kryeqendrën e provincës më të madhe të vendit, Anbarit, ndërsa në anën tjetër të kufirit shtrinin sundimin e tyre në qytetin strategjik sirian të Tadmurit dhe në Palmirën e famshme për rrënojat e saj të lashta, të shpallur gjithashtu zonë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Top Channel