LDK, në shënjestër edhe të shoqërisë civile për “kuvendin jo transparent”

02/06/2015 00:00

Përmes një komunikate për mediet, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar opinionin për Kuvendin e 8 Zgjedhor, si dhe ka reaguar ndaj pohimeve të përfaqësuesve të shoqërisë civile se, ky kuvend ka qenë jo transparent.

Kjo parti ka kritikuar qasjen e analistëve dhe shoqërisë civile, si dhe ka theksuar se vullneti zgjedhor i shprehur përmes votës së lirë nuk mund t’i përshtatet pritjeve të pjesshme të askujt.

“Në këtë frymë, LDK-ja dëshiron t’i ftojë të gjithë, që të pranojnë rregullat demokratike të një gare. Për kryetar, LDK-ja dëshmoi që përkrah vetëm Isa Mustafën, kryeministër dhe kryetar të LDK-së”, thuhet në komunikatë.

Më tej, LDK-ja akuzon shoqërinë civile se kanë keqinformuar publikun, duke keqinterpretuar rregullat zgjedhore.

“Interpretimet e rregullave kërkojnë dije dhe njohuri profesionale, e jo subjektivizëm politik apo çfarëdo tjetër”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Gjithashtu, LDK thekson se, përfaqësues të caktuar të OJQ-ve, në prag të Kuvendit të 8 Zgjedhor të LDK-së, kanë dalë hapur me preferencat e tyre për kryetar të LDK-së, gjë që – sipas kësaj partie – e kanë humbur besueshmërinë e të qenit të pavarur, për të interpretuar rregullat zgjedhore.

Sa i përket Kuvendit Zgjedhor, LDK-ja njofton se, konform rregullave statutore në Kuvend, janë nominuar dy kandidatë për kryetar të LDK-së, prej të cilëve njëri ka marrë numrin e mjaftueshëm të votave, kurse kandidati tjetër nuk ka arritur të marrë besimin e delegatëve, për të proceduar me dy kandidatë me votë të fshehtë.

Sa i përket rolit të KQZ-së, LDK vlerëson se nuk është në natyrën ligjore të KQZ-së, e cila përbëhet nga përfaqësues të partive të ndryshme politike parlamentare, të ndërhyjë në proceset e zgjedhjeve demokratike të një subjekti politik.

Top Channel