Berlini eksperimenton “çmimet tavan” për qiratë

02/06/2015 00:00

Berlini është bërë qyteti i parë në Gjermani, ku ka hyrë në fuqi zbatimi i ligjit për kontrollin e qirave, në përpjekje për t’i vendosur pengesa kësaj rritjeje, në një prej vendeve me rritjen më të lartë të qirave në Europë.

Duke nisur nga e hëna e ardhshme, qiradhënësve në kryeqytetin gjerman do t’u ndalohet rritja e qirave me më shumë se 10 për qind mbi mesataren lokale. Kontrolle të tilla kanë qenë në fuqi për disa qiramarrës, por tashmë janë zgjeruar edhe me kontratat e reja të qiradhënies.

“Çmimi tavan i qirave është tepër i rëndësishëm për Berlinin, sepse diferenca mes qirasë së paguar në kontratat ekzistuese dhe kontratave të reja është tepër e lartë”, tha Reiner Wild, drejtor i Shoqatës së Qiramarrësve të Berlinit. “Problemi tjetër qëndron në faktin se, ne kemi rreth 40 mijë banorë të rinj çdo vit, e për shkak të kësaj situate, tregu i strehimit është bërë tepër i fortë”.

Berlini bëhet kështu qyteti i parë, që studion vendosjen e një çmimi tavan të qirave, pas miratimit të ligjit, në mars nga Parlamenti kombëtar, që synonte zonat me mungesa të theksuara vendbanimesh. Vetë banorët e kryeqytetit gjerman thonë se gjuetia e banesave është bërë tepër konkurruese.

Edhe pse qiratë vazhdojnë të jenë ende të ulëta krahasuar me kryeqytetet e tjera europiane, Wild thotë se është diçka jetike, që shpenzimet e strehimit në këtë qytet të jenë të përballueshme edhe nga qytetarët me të ardhura të pakta.

“Nuk duam të mbërrijmë në një situatë si në Londër apo Paris, – tha Wild. – Realiteti në këto dy kryeqytete europiane është se, qytetarët me të ardhura të pakta duhet të jetojnë në periferitë më të largëta të mundshme të qytetit”.

Sipas tij, organizata që ai drejton do të dëshironte të shihte ndërmarrjen e të tjera veprimeve për të adresuar këtë problem, përfshi këtu ndërtimin e shtëpive të reja më të përballueshme.

Mesatarja e qirave në kryeqytetin gjerman është rritur nga 5.5 euro për metër katror në vitin 2005, në afërsisht 9 euro gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë që, prej vitit 2013 deri në 2014-n, qiratë u rritën me më shumë se 9 për qind.

Top Channel