Kriza greke, huadhënësit përgatisin kundërpropozimin “pranojeni ose largohuni”

02/06/2015 00:00

Huadhënësit e Greqisë janë në prag të përfundimit të një projektmarrëveshjeje, që do t’ia dorëzojnë qeverisë së majtë të Athinës, duke i futur në një tjetër situatë zhvillimet e gjata të negociatave për të lëshuar këstin e ndihmës financiare ndaj vendit të goditur nga mungesa e likuiditetit.

Vetëm pak orë më parë, kryeministri grek Alexis Tsipras njoftoi se Athina kishte dorëzuar propozimin e saj ndaj huadhënësve, në atë që shihet si një përpjekje për t’i paraprirë ofertës “merre ose lere” të kreditorëve, si dhe për t’u treguar votuesve grekë se Athina e bëri lëvizjen e para.

Deklaratat për propozimin dhe kundërpropozimin erdhën pasi udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe institucioneve më të mëdha huadhënëse zhvilluan bisedime urgjente mbi krizën e borxhit grek në Berlin, mbrëmjen e së hënës, duke theksuar kështu shqetësimin mes niveleve të larta për ngërçin e deritanishëm.

E bllokuar nga aksesimi i tregjeve të bonove dhe në pritje me padurim të këstit të ndihmës së shpëtimit, Athina është duke rënë me shpejtësi të madhe drejt situatës së mbetjes pa parà. Ajo ka kërcënuar se mund të dështojë në dhënien e këstit ndaj FMN-së këtë javë, nëse nuk arrihet një marrëveshje, edhe pse në krahun tjetër ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë formë ultimatumi.

Dështimi për të arritur një marrëveshje këtë muaj mund ta detyrojë Greqinë drejt falimentit dhe vendosjes së kontrollit të kapitalit, por edhe një dalje të mundshme nga Eurozona, duke i dhënë kështu një goditje serioze monedhës së supozuar të pakthyeshme të përbashkët të Europës.

Një burim pranë bisedimeve tha se huadhënësit, ndërkohë, janë duke përfunduar detajet e ofertës së tyre drejt Athinës.

Një zëdhënëse e Komisionit Europian tha se shumë dokumente janë duke u këmbyer mes negociatorëve, gjë që përbën një “shenjë të mirë”. Bisedimet me Greqinë janë duke vazhduar dhe “ende nuk kemi mbërritur në fund”, ka bërë të ditur zëdhënësja.

Top Channel