FBI ka krijuar kompani false, për të fshehur avionët spiunë

02/06/2015 00:00

FBI ka përdorur së paku 13 kompani “mëmë” për të fshehur disa avionë spiunë, të cilët kanë fluturuar në më shumë se 30 qytete, në 11 shtete të ndryshme, thuhet në një artikull investigues të “Associated Press”.

Sipas një raporti, avionët kanë qenë të pajisur me video, ndërsa kanë operuar pa ndonjë leje nga gjykata, megjithëse qeveria është shprehur se janë shfrytëzuar për disa hetime të veçanta.

Kompanitë me emra si “FVX Research” dhe “KQM Aviation” janë shfrytëzuar për të mbuluar rreth 50 avionë të FBI-së. Një pjesë e mirë e dokumenteve janë firmosur nga “Robert Lindley”, por qeveria nuk ka konfirmuar nëse ky është punonjës i saj.

Në nëntor, “The Wall Street Journal” kishte njoftuar se Departamenti i Drejtësisë kishte pajisur disa avionë me pajisje të quajtura “dirtboxes” që lejonte të merrte të dhëna nga telefonët celularë. Edhe në raportin e “Associated Press” konfirmohet ky mision, por nuk bëhet e ditur se çfarë shtrirje ka pasur.

FBI, duke iu referuar “Associated Press”, kishte kërkuar që raporti të mos publikohej, sepse “do t’u kushtonte taksapaguesve ngaqë do krijoheshin kompani të reja për të mbuluar misione të tilla, dhe rrezikonte avionët dhe qëllimin e mirë të këtyre misioneve”.

Top Channel