Maqedoni, zgjedhje të parakohshme brenda prillit 2016. Hahn arrin paktin me udhëheqësit politikë

02/06/2015 00:00

Udhëheqësit e partive kryesore në Shkup, në takimin me Komisionerin evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, kanë rënë dakord për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni në prill të vitit të ardhshëm, kurse marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e krizës politike pritet të finalizohet javën e ardhshme në Bruksel.

“E rëndësishme është që të tejkalohet situata aktuale dhe kriza e rëndë, por edhe të ruhet perspektiva euro-atlantike. Jeni të vetëdijshëm se, për përsëritjen e rekomandimit nga ana e KE-së për hapjen e negociatave, nevojitet që të tejkalohet kjo situatë. Gjithashtu, në vendin tuaj duhet të punojmë në frymën e bashkëpunimit, për të arritur kompromisin e nevojshëm politik, dhe për ta ruajtur barazpeshën e nevojshme mes palëve të caktuara, si dhe grupeve të ndryshme në shoqëri. Prandaj, sot ramë dakord për një periudhë tranzicioni deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, që duhet të mbahen deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Zgjerimin.

Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, duhet të krijohet atmosferë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Hahn, i cili foli para medieve nën shoqërinë e 4 udhëheqësve kryesorë politikë në Shkup, u shpreh optimist për takimin e javës së ardhshme në Bruksel.

“Javën e ardhshme do të shihemi në Bruksel për të finalizuar marrëveshjen, që do t’i mundësojë Maqedonisë të vazhdojë përpara dhe ta shfrytëzojë këtë krizë, si një mundësi për modernizim të vendit. Nga palët politike do të varet, nëse do të ketë apo jo një garë korrekte dhe serioze mes tyre. Bashkësia ndërkombëtare do të jetë e pranishme këtu dhe do të mbajë nën monitorim vendin. Nëse gjithçka shkon siç duhet, jam i bindur se kultura politike do të fuqizohet dhe vendi do t’i ndjekë standardet evropiane”, tha Johannes Hahn.

Ndërkohë, përfaqësuesit e LSDM-së opozitare kanë bërë të ditur se, gjatë takimit me komisionerin Hahn është folur edhe për formimin e qeverisë kalimtare në Maqedoni. Përfaqësuesit e opozitës maqedonase thonë se, nuk janë të gatshëm të pranojnë marrëveshjen e sotme, nëse më 10 qershor në Bruksel nuk arrihet pajtimi për qeverinë e tranzicionit.

Top Channel