Prishtinë, çelet Panairi i 17 i Librit. Mustafa dhe Kumbaro premtojnë mbështetje më të madhe

02/06/2015 00:00

Është hapur Panairi i 17-të i Librit në Prishtinë. Në ceremoninë e hapjes, njëri nga themeluesit, Daut Demaku tha se në këtë panair janë mbi një mijë tituj librash dhe rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora.

Në hapjen e panairit morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro të cilët premtuan mbështetje më të madhe për sektorin e kulturës.

Kryeministri Mustafa dhe ministrja Kumbaro vizituan edhe disa nga tendat e shtëpive botuese të cilat deri më 7 qershor do të kenë mundësi të ofrojnë për lexuesit tituj të ndryshëm të librave për të gjitha moshat.

Në këtë edicion të Panairit të Librit në Prishtinë do shënohet 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

Ndërkohë, më 6 qershor Shoqata e Botuesve të Kosovës ka paraparë ceremoni solemne ku do të nderohen me trofeun e panairit, sipas vlerësimit të një jurie të veçantë, librat më të mirë në të gjitha zhanret si dhe do të shpallen shkrimtarët e vitit për letërsi në gjuhën shqipe dhe në letërsi të huaj.

Top Channel