Mbyllja e “Pagliacci”-t në skenën e TKOB

02/06/2015 00:00

Mbrëmjen e së martës është ngjitur për herë të fundit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, vepra e titulluar “Pagliacci”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror të lajmeve ka folur vetë sopranoja e famshme shqiptare, Inva Mula, e cila në këtë vepër nuk është vetëm protagoniste në rolin e Enedës, por edhe regjisore e operës. Premiera e “Pagliacci”-t ka qenë më 31 maj, ndërkohë që përpara shfaqjes së fundit do të ketë një prezantim.

TCH: Kjo është hera juaj e parë që vini si regjisore…

Inva Mula: Padyshim që është hera e parë dhe është një eksperiencë e jashtëzakonshme. U ndodha në një ambient, të cilin e njihja vite më parë, por që nuk kisha punuar kaq pranë artistëve, pjesëmarrja e të cilëve është e jashtëzakonshme. Çdonjëri prej artistëve të korit, solistët, të trupës së baletit, të Cirkut Kombëtar, të fëmijëve etj., në këtë opera e bëjnë pjesëmarrjen tepër të gjerë. Por nuk kemi vetëm operën, pasi është edhe spektakli…

TCH: Doja t’iu pyesja edhe për prezantimin dhe shfaqjen përpara…

Inva Mula: Jam gjendur jashtëzakonisht mirë, sepse ishte një dëshirë shumë e madhe për të bërë një vepër të bukur. Shpresoj që edhe publiku ta ketë thënë fjalën e tij me anë të duartrokitjeve të jashtëzakonshme.

TCH: Pjesëmarrësit?

Inva Mula: Spektakli fillon vetëm për pak minuta, salla po mbushet, kemi këtu pranë trupën e baletit që po përgatiten. Një koreografi e shkëlqyer e Esdalin Goranit. Pjesa e parë e prezantimit të shfaqjes sonë është një libër me 6 histori të grave. Janë histori të ndryshme të grave të interpretuara nga dy divat e TKOB-së, Vikena Kamenica dhe Eva Golemi, por edhe nga artistët e mrekullueshëm të baletit. Një prezantim hyrës i veprës që vjen, operës Pagliacci, që ne ia dedikojmë grave me mesazhin kryesor: Ndal dhunës ndaj grave! Spektakli ynë zhvillohet në rrugët e Tiranës, një ide që ka ardhur si rezultat i aktualitetit që kam ndjekur, historitë që më kanë bërë me imagjinatën time ta ktheja shfaqjen, jo në Kalabri, siç është realisht, por në rrugët e Tiranës. Mesazhi ka qenë shumë i fortë dhe kemi pasur reagime nga publiku. Detyra jonë është jo vetëm të sjellim një spektakël estetik, por një mesazh të madh në skenë.

TCH: Duke iu përgëzuar për sensibilizimin që i bëni kësaj çështjeje, do t’iu shikojmë sërish si regjisore?

Inva Mula: Tani është ende herët për ta thënë. Sapo kam nxjerrë konkluzionet e mia nën tundimin e emocioneve të mëdha që kam kaluar si regjisore dhe si interpretuese, por nuk është e thjeshtë t’i bësh të dyja. Ndoshta, nëse rikthehem, nuk do ta bëj me të dyja këto role bashkë, sepse është një barrë shumë e madhe dhe do të thoja se kur jam në skenë nuk e shijoj rolin e regjisores, sepse kujdesem për çdo cep të skenës, pasi dua të kuroj gjithçka. Por harroj që gjërat nuk kurohen më tashmë, i duhen lënë spontanitetit të secilit artist, pasi puna është bërë. Nga ana tjetër, një regjisore duhet të flasë pa pushim dhe të jetë afër artistëve, kur mendon për të vënë diçka në skenë, ndërsa një këngëtare ka nevojë që ta ketë zërin të shlodhur. Janë dy gjëra që ndodhta e pengojnë njëra-tjetrën. E kam bërë me pasion dhe dëshirë shumë të madhe, me një sfidë të vërtetë ndaj vetvetes, që solli rezultat, por nuk mund të nxjerr ende konkluzione.

Top Channel