Turqi, Erdogan kërkon “burgim të përjetshëm” për kryeredaktorin, që akuzohet për “spiunazh”

02/06/2015 00:00

Avokatët e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë akuzuar një kryeredaktor gazete për spiunazh dhe kërkojnë dënimin me burgim të përjetshëm të tij, bëri të ditur vetëm media gjatë së martës, në atë që konsiderohet si breshëria e fundit në një mosmarrëveshje të ashpër, e cila ka alarmuar mbrojtësit e lirisë së shtypit në Turqi.

Duke qenë vetëm pak ditë larg zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, gazeta “Cumhyriyet” irritoi Erdoganin të premten e kaluar duke publikuar disa pamje të shkëputura nga një video, të cilat sipas gazetës tregonin se agjencia shtetërore informative MIT po ndihmonte në dërgimin e armatimeve në Siri.

Në një artikull të publikuar në faqen zyrtare të gazetës, “Cumhuriyet” – një kritike e ashpër e Erdoganit dhe partisë në pushtet “AK” – tha se kryeredaktori i saj, Can Dundar, përballet tashmë me akuza, ku përfshihen edhe “krime kundër qeverisë” dhe “shpërndarje e informacioneve që prekin sigurinë kombëtare”, pikërisht për shkak të materialit video.

“Cumhuriyet” tha se avokatët e Erdoganit kanë dorëzuar një padi penale në zyrën e prokurorit të Stambollit. Ndërkohë, askush prej stafit të zyrës së Erdogan nuk ka komentuar në lidhje me këtë ngjarje.

Duke folur për rrjetin televizit shtetëror, TRT, ditën e shtunë, Erdogan tha se gazetari prapa publikimit të videos do të “paguante një çmim të lartë” për veprimet e tij, si dhe premtoi se do të ndërmerrte veprime ligjore.

Në fakt, lajmi se MIT kishte ndihmuar në dërgesat e armatimeve në pjesë të ndryshme të Sirisë, të cilat kontrollohen prej rebelëve islamikë, është raportuar edhe prej agjencisë së lajmeve “Reuters” më 21 maj, raport që i referohej dërgesave të fundvitit 2013 dhe fillimvitit 2014.

Dëshmia e një dëshmitari hedh poshtë mohimet e bëra nga Turqia, për dërgesat e armëve ndaj rebelëve sirianë, të cilat kanë kontribuuar në rritjen e Shtetit Islamik, tashmë një shqetësim madhor për vendin anëtar të NATO-s.

Siria dhe disa prej aleatëve perëndimorë të Turqisë kanë bërë të ditur se Turqia, duke u nxituar për të parë sa më shpejt rrëzimin nga pushtetit të Presidentit Bashar al-Assad, lejoi kalimin e luftëtarëve dhe armatimeve përgjatë kufirit, disa prej të cilëve në fakt shkuan për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, i cili tashmë ka nën kontroll rajone të tëra në Siri dhe Irak.

“Cumhuriyet” ka bërë të ditur se videoja në fjalë daton prej 19 janarit 2014, por nuk tha se nga i kishte siguruar pamjet. Erdogan deklaroi se kamionët e ndalur atë ditë i përkisnin MIT dhe po dërgonin ndihma për pakicat turke në Siri. Madje, Presidenti turk shtoi se prokurorët nuk kishin autoritet për të kontrolluar apo hetuar mjetet e MIT, por ishin thjeshtë pjesë e asaj që ai e quan si “një shtet paralel” që udhëhiqet prej ish-aleatit të kthyer në armik, Fethullah Gulen, një klerik islamik që jeton në ekzil në SHBA, të cilin Erdogan e akuzon se po përpiqet ta rrëzojë atë dhe qeverinë turke.

Dundar shkroi në Tëitter gjatë së hënës, duke mbrojtur veprimet e gazetës së drejtuar prej tij. “Ne jemi gazetarë, jo shërbyes publikë. Detyra jonë është të mos fshehim sekretet e pista të shtetit, por t’i nxjerrim përgjegjësit e tyre para syve të publikut dhe në emër të publikut”.

Top Channel