Viktima e policisë së Bostonit, i dyshuar për terrorizëm

02/06/2015 00:00

Një person që gjeti vdekjen pas të shtënave të policisë në Boston të martën, ishte pjesë e një hetimi të zgjeruar për terrorizëm, ku janë përfshirë edhe shumë të tjerë.

Hetimi po zhvillohej nga autoritetet amerikane kundër terrorizmit. I dyshuari i përkiste një celule terroriste, thuhet në njoftimin e tyre. Policët dhe agjentët federalë i drejtuan armën, pasi ai kishte tentuar t’i sulmonte me një thikë ushtarake.

I dyshuari është identifikuar si Usaama Rahim, pasi vëllai i tij, Ibrahim Rahim, postoi në rrjete sociale për ngjarjen. Ibrahim është një imam në njërën prej xhamive në Kaliforni dhe kishte dhënë një version tjetër për ngjarjen.

Sipas tij, Usaama ishte duke qëndruar në një stacion duke pritur autobusin që të shkonte në punë. Ai ka shkruar se policët dhe agjentët e kanë gjuajtur pas shpine, ndërkohë që vëllai fliste në celular me të atin.

“CNN” ka raportuar se Rahim është hetuar për kërcënimin e disa oficerëve, por nuk bëhet e ditur se kur dhe si janë bërë këto kërcënime.
 
Versioni zyrtar i autoritete të Bostonit ishte se Usaama ka vdekur pas plagëve të marra, ndërkohë që policia e kishte paralajmëruar që të lëshonte armën në tokë.

“Për fat të keq, ai u është drejtuar oficerëve dhe ka tentuar të bëjë atë për të cilin është stërvitur të bëjë, dhe për fat të keq, kjo gjë i kushtoi me jetë”-, është shprehur William Evans nga policia e Bostonit.

Top Channel