Mblidhet samiti i G7-s mbi sfidat globale, në Gjermani

03/06/2015 00:00

Krerët e shteteve dhe qeverive të 7 vendeve më të industrializuara të botës mblidhen në Gjermani më 7 dhe 8 qershor, për të diskutuar mbi sfidat globale më urgjente.

Ajo çfarë i lidh anëtarët e G7-s shkon përtej mirëqenies dhe forcës ekonomike; këto shtete ndajnë mes tyre edhe të njëjtat vlera të lirisë, demokracisë e të të drejtave të njeriut.

Me situatat e krijuara anembanë globit, samiti përbën padyshim një përpjekje diplomatike në kohë krizash, ndërsa mbetet sidoqoftë një rast për të diskutuar mbi ekonominë botërore.

Objektivat tona, – deklaroi Angela Merkel, – vazhdojnë të jenë rritja ekonomike dhe mirëqenia e qëndrueshme, çka mund të arrihet vetëm me një sistem ekonomik të hapur, me një prani të fuqishme investimesh, e një tregti ndërkombëtare të përforcuar mbi baza standardesh të ngritura sociale dhe ekologjike.

Axhenda e Presidencës gjermane të G7-s, – sipas Kancelares, – do të fokusohet në dy sfida kryesore, me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar në 2015-n: e para do të jetë në tryezë këtë vjeshtë, kur Kombet e Bashkuara të parashtrojnë objektivat e rinj të zhvillimit.

Vendimet e marra atje, – thotë Merkel, – do të përcaktojnë kursin e vijueshmërisë së politikave ndërkombëtare të zhvillimit për vite të tëra. Jam e bindur, – shtoi ajo, – se G7-a në këtë pikë duhet të angazhohet për eliminimin e urisë dhe mjerimit nëpër botë deri në 2030-n.

Ajo, që shefja e ekzekutivit gjerman prezanton si prioritetin e dytë të grupit, është mbrojtja e klimës.

Për të parën herë prej vitesh të tëra, ka shpresa se konferenca e Parisit këtë dhjetor do të prodhojë një marrëveshje të klimës, ku të gjithë vendet, përfshirë ekonomitë në zhvillim, të zotohen për tkurrjen e emetimeve, çka do ta afronte objektivin e kufizimit të rritjes së temperaturave globale në dy gradë, e vetmja mënyre sipas ekspertëve për ta mbajtur brenda parametrave të arsyeshëm.

Top Channel