SHBA, i dërguar i Obamas: ISIS rrezikon të bëhet kërcënim global

03/06/2015 00:00

I dërguari i Presidentit amerikan, Barack Obama, i cili është ngarkuar me detyrën për të ndërtuar një koalicion sa më të fuqishëm kundër militantëve të Shtetit Islamik, bëri të ditur këtë të mërkurë se rritja e këtij grupi do të ketë pasoja globale dhe se, nëse nuk kontrollohen militantët ekstremistë, mund të “bëjnë kërdinë mbi progresin e njerëzimit”.

Gjenerali i dalë në pension, John Allen, tha gjatë një konference në Katar se grupi xhihadist nuk është vetëm një problem i Irakut, apo i Sirisë, por një “problem rajonal që tenton të shtrijë pasojat e saj në mbarë globin”.

Ka qenë diçka tepër kritike, që të gjitha forcat anti-ISIS në Irak kanë rënë nën autoritetin e qeverisë irakiane. Detyra për të zmbrapsur fluksin e luftëtarëve të huaj nuk është vetëm e Turqisë. Kufijtë e saj me Sirinë dhe Irakun kanë qenë “vija e fundit e mbrojtjes”, theksoi ai.

John Allen, nga ana tjetër, është shprehur se Presidenti Bashar al-Assad nuk duhet të ketë asnjë rol në zgjidhjen afatgjatë të konfliktit sirian.

Gjatë fjalimit të tij, ai shtoi se ka pasur një diskutim “tepër energjik” mes disa prej vendeve të koalicionit, mbi mënyrën sesi ta zhvillojmë këtë tranzicion politik në Damask, por që një zgjidhje e tillë nuk duhet të përfshijë Assadin, i cili u ka shpallur luftë xhihadistëve dhe rebelëve kryengritës që prej vitit 2011.

Top Channel