Rivarrimi i Boletinit në Mitrovicë, qeveria e Kosovës miraton fondin për ceremonitë

03/06/2015 00:00

Qeveria e Kosovës po bën përgatitjet e fundit për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa boletini. Të mërkurën u ndanë 50 mijë euro për të mbuluar shpenzimet.

Ndërsa në qytetet e Kosovës nga do të lëvizë kortezhi do të stolisen me flamuj kombëtarë e shtërorë. Pllakata pritëse që tashmë ka marrë formën përfundimtare mban figurën e Isa Boletinit dhe mbishkrimin

“Prapë na erdhi baca Isë”, duke përfshirë këtu edhe elemente të flamurit kombëtar. Ministri i FSK-së Haki Demolli bëri të ditur se do të ketë manifestime në Prizren, në Isniq, nga ku ka prejardhjen familja Boletini, në Prekaz e në Prishtinë, ndërsa në Mitrovicë do të mbahet manifestimi qendror.

“Më duhet t’ju njoftoj se këto mjete do të shpenzohen për manifestime që do të mbahen në Prizren, Isqni, Prekaz, Pristhinë në Mitrovicë ku është parashikuar të mbahet manifestimi qendror më datë 10 qershor, nga ora 12:00 në 14:00”, deklaroi Demolli.

Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit do të zhvillohet e ndarë në dy pjesë. Aktivitetet ku do të marrin pjesë liderët shetërorë të Kosovës, por edhe të ftuarit nga mbarë trojet ku jetojnë shqiptarët do të nisin dhe përfundojnë në stadiumin e qytetit të Mitrovicës, “Adem Jashari”. Fjalime liderësh dhe një program artistik do të karakterizojnë këtë pjesë të ceremonisë.

“Pas përfundimit të këtij manifestimi do të bëhet rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini në vendlindjen e tij, në fshatin Boletin. Ju njoftoj se ne si Këshill Organizativ jemi pajtuar që në ceremoninë e rivarrimit do të marrin pjesë vetëm familjarët, respektivisht pasardhësit e heroit kombëtar, si dhe disa personalitete nga jeta publiko-politike kosovare. Për këto aktivitete është njoftuar edhe KFOR-i dhe Policia e Kosovës, të cilët do të marrin masat e parashikuara me ligj për ofrimin e sigurisë gjatë procesit të rivarrimit”, tha Demolli.

Në kuadër të aktiviteteve është parashikuar edhe organizimin i një konference shkencore ku do të diskutohet për veprën e Isa Boletinit. Rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar në Kosovë bëhet  99 vjet pas vrasjes së tij në Podgoricë të Malit të Zi, ku mbetjet qëndruan për tërë këto vite.

Fillimisht qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës u dakorduan që rivarrimi të bëhej në Vlorë, por pas vendimit të familjarëve për t’u tërhequr nga kjo ide, Isa Boletini përfundimisht do të pushojë në vendin e tij të lindjes, në Boletin të Mitrovicës. 

Top Channel