Kosovë, mblidhet Komiteti Kombëtar për Investime

03/06/2015 00:00

Këtë të mërkurë, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës do të mblidhet Komiteti Kombëtar për Investime, me qëllim diskutimin e investimeve kyçe infrastrukturore dhe bashkëfinancimin e projekteve nga ana e Bashkimit Evropian.

Në takim do të marrë pjesë edhe Jean-Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat për Zgjerim, në Komisionin Evropian, apo më thjesht i dërguari i Komisionerit Johannes Hahn.

Vetëm një ditë më parë Jean-Eric Paquet ka përcjellë në Prishtinë kërkesat e Bashkimit Evropian për Kosovën, e cila duhet të kryejë sa më parë reformën e nisur në Administratën Publike.

“Pjesa fundamentale e politikave të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor është reforma e Administratës Publike. Kjo është kryer nga shumë prej kolegëve tuaj në vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo ende nuk kam parë përfshirje personale në nivel kryeministri në Kosovë. Mendoj se, në Kosovë ka një ndërlidhje të drejtpërdrejtë të reformës së Administratës Publike dhe ekonomisë, pasi nëpërmjet kësaj reforme ju ndihmoni një zhvillim më të mirë ekonomik”, tha Jean-Eric Paquet, drejtor në Komisionin për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Top Channel