Kosovë, falen 680 milionë euro borxhe publike

03/06/2015 00:00

Qytetarët e Kosovës lirohen nga borxhet që kanë ndaj kompanive publike në periudhën para vitit 2009. Kështu parashihet me ligjin për faljen e borxheve, që u miratua këtë të mërkurë nga qeveria e Kosovës. Qeveria kërkon nga qytetarët që t’i paguajnë borxhet që kanë pas vitit 2009.

“Në rend të parë ka të bëjë me politikat tona në mënyrë që të pastrohen llogaritë e kompanive publike dhe llogaritë e buxhetit dhe mos të mbahen evidenca, kërkesa që janë të kontestueshme dhe të pa-arkëtueshme për një periudhë të gjatë kohore. Ka të bëjë po ashtu edhe me masat për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe stimulimit të tyre, apo nxitjes së tyre që ata t’i përmbushin obligimet e tyre tatimore dhe shërbimeve tjera publike prej 1 janarit 2009 deri më tani, kështu që mund t’i kontribuoj edhe rritjes së buxhetit, edhe pastaj krijimit të një disipline krejt tjetër të qytetarëve për përmbushjen e detyrimeve ndaj kompanive publike dhe detyrimeve ndaj buxhetit”, është shprehur kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka treguar se shuma që do t’u falet qyetarëve shkon në 680 milionë euro.

“Sipas vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse shuma e borxheve që do të falet me këtë projektligj, është rreth 680 milionë euro, prej të cilave 148 milionë euro janë borxhe ndaj ATK-së, rreth 6 milionë euro borxhe ndaj doganës, 57 milionë euro borxh ndaj tatimit në pronë dhe rreth 465 milionë euro borxhe ndaj ndërmarrjeve publike”, ka thënë Hoti.

Ministri kosovar i Financave theksoi se do të falet çdo shumë e papaguar e borxhit, përfshirë këtu ndëshkimet, gjobat, interesin si dhe çdo ndëshkim tjetër që rrjedh nga mos-pagesa me kohë e borxhit.

Top Channel