Kriza në Maqedoni, ambasadorët e vendeve të BE-së takohen me Gruevskin

03/06/2015 00:00

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Shkup, kanë diskutuar të mërkurën me kryeministrin Nikolla Gruevski për tejkalimin e krizës politike.

Ata kanë bërë thirrje që, para interesave partiake të vendosen interesat e qytetarëve. Ambasadorët e 16 vendeve të BE-së kanë kërkuar nga Gruevski më tepër angazhim për evitimin e problemeve serioze, që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.

“Sot diskutuam për zgjidhjet e mundshme për dalje nga kriza politike dhe mesazhi ynë kryesorë është se interesi i qytetarëve është më i rëndësishëm se interesi i partive politike. Sot dëgjuam qëndrimin e kryeministrit për mënyrat se si do t’i qaset zgjidhjes së çështjeve serioze lidhur me sundimin e së drejtës dhe kthimin e besimit tek institucionet. Kërkuam nga të gjithë faktorët relevantë politikë të bëjnë përpjekje për të gjetur mënyrën për dalje nga kriza”, tha Aivo Orav, ambasadori i BE-së në Shkup.

Orav foli në emër të të gjithë ambasadorëve të BE-së, duke thënë se takimi me Gruevskin ishte planifikuar më herët dhe nuk është vazhdimësi e negociatave për zgjidhjen e krizës, që u zhvilluan një ditë më parë mes udhëheqësve politikë në Maqedoni dhe eurokomisionerit për Zgjerim, Johaness Hahn. Orav tha se takime të ngjashme në ditët në vijim ambasadorët e BE-së do të realizojnë edhe me drejtuesit e LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së.

Një ditë më parë, liderët politikë në Shkup pas negociatave disa orëshe, me ndërmjetësim të komisionarit Hahn ranë dakord për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend. Pas takimit, Hahn tha se marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e ngërçit politik në Shkup, finalizohet në Bruksel më 10 qershor.

Top Channel