Itali, sekuestrohen 600 kg. kokainë me vlerë 20 milionë euro

03/06/2015 00:00

Rreth 600 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 20 milionë euro, që vinte nga Amerika e Jugut dhe ishte fshehur në hapësira të krijuara brenda gjeneratorëve elektrikë, janë sekuestruar në Romë dhe Forli të Italisë.

Operacioni është ekzekutuar nga karabinierët e kryeqytetit italian, në koordinim me Prokurorinë e Romës dhe Drejtorinë Rajonale të Antimafias.

Operacioni u krye pas mbajtjes nën mbikëyqrje të disa kompanive vendase, me bazë në kryeqytet dhe Forli, aktive në transportin e mallrave, përfshirë pjesët e makinerive, ku fshihej edhe droga.

Kur kanë ndaluar dërgesat, që niseshin nga Italia për në Amerikën e Jugut dhe më pas mbrapsht, agjentët kanë konstatuar anomali në saldimin e pjesëve metalike dhe për rrjedhojë kanë zbuluar hapësirën ku fshihej kokaina.

Për të çorientuar hetimet e karabinierëve, droga ishte dërguar 500 kg. në Romë dhe 100 kg. në Forli, por pas zbulimit të kontakteve mes kompanive, agjentët arritën të bllokonin edhe dërgesën e dytë.

Kokaina ishte e ndarë në pako, që mbanin simbolin “like” të Facebook dhe në treg do të kapte vlerën e mbi 20 milionë eurove.

Top Channel