Protestojnë punëtorët e ish-“Rilindjes”, kërkojnë të kompensohen

03/06/2015 00:00

Punëtorët e ish-gazetës “Rilindja” protestuan të mërkurën në Prishtinë, duke kërkuar kompensimin e 20%-shit, ashtu si e parasheh ligji, pasi në vitin 2000 pas 70 vite funksionimi, kjo gazetë u mbyll me një vendim të UNMIK-ut.

Nga objekti ku ishte gazeta, tani në shfrytëzim të qeverisë, ish-punëtorët vazhduan protestën edhe para Agjensionit Kosovar të Privatizimit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Rilindjes”, Besim Kajtazi tha se qeveria i ka lënë punëtorët në gjendje shumë të vështirë sociale, ndaj edhe janë detyruar të protestojnë.

“Ne kemi dalë të marrim pjesë në protestën e punonjësve të gazetës ‘Rilindja’, gazetë me traditë 70-vjeçare, e cila për fat të keq me një vendim arbitrar të UNMIK-ut në vitin 2000 u mbyll. Unë e kam ftuar këtë protestë në emër të punëtorëve, që të protestojnë para qeverisë, e cila ‘Rilindjen’ dhe punëtorët e saj i ka lënë në një gjendje shumë të vështirë sociale. Punëtorët kërkojnë që të kompensohet 20%-shi dhe pasuria, që ka pasur gazeta në Prishtinë dhe Tiranë, t’u ndahet aq sa ju takon me ligj”, është shprehur Kajtazi.

Punëtorët kërkuan të drejtat e tyre në Prishtinë dhe Tiranë, ku gazeta ka pasur shtypshkronjën e saj “Eurorilindja”, e cila është mbyllur në vitin 2006, për shkak të detyrimeve tatimore.

Gjatë protestës, Naxhije Nuhiu, ish-punëtore e gazetës “Rilindja”, kritikoi drejtorin e gazetës dhe AKP-në, që nuk i ka mbrojtur punëtorët.

“Prej vitit 1969 punoj në një shtëpi botuese librash për shkollat e mesme, pra 45 vite. Ka ardhur dita e fundit dhe na kanë pushuar nga puna pa asnjë cent, pa kurrfarë kontributi, nuk kanë treguar aspak respekt për ne. Drejtori ynë dhe AKP-ja janë fajtorët kryesorë, sepse nuk na kanë mbrojtur, por na kanë nxjerrë në rrugë në mëshirën e Zotit. Pikërisht një vit përpara daljes në pension, të dalësh kështu është thjesht mizerje”, ka thënë Naxhije Nuhiu.

Punonjësit e ish-“Rilindjes” do të vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.

Top Channel