Xavi, përshendetet me Barçën: Uroj të jetë një “mirupafshim”, jo një “lamtumirë”

03/06/2015 00:00

Barcelona ka organizuar një konferencë të veçantë për t’i dhënë lamtumirën kapitenit Xavi Hernandez. Mesfushori iu bashkua katalansve në moshën 11-vjeçare, duke luajtur mbi 500 ndeshje dhe duke fituar 24 trofe, prej të cilave tetë tituj dhe tre Champions.

Presidenti i skuadrës, Josep maria Bartomeu ka falëndëruar Xavin për djersën që ka derdhur për klubin, ndërsa ka thënë se shpreson që ai një ditë të kthehet. “Xavi do të kthehet. Kjo ndarje është e përkohshme. Sot është dita kur ne, gjithë skuadra, tifozët, duhet të të themi faleminderit Xavi”,- është shprehur ai.

Ndërkohë, Andres Iniesta që ka qenë shoku i skuadrës së Xavit për 13 sezone, ka thënë se do ta ndjejë mungesën e mikut, ndërsa ka falendëruar që gjithmonë ka vënë të parën skuadrën dhe që ka qenë shembull për ata.

“Nuk mund ta imagjinoj që sezonin e ardhshëm nuk do jesh me ne. Ka qenë një nder që të luaj përkrah teje. Faleminderit Xavi që ke qenë gjithmonë një shembull, që ke vënë gjithmonë grupin para vetes. Faleminderit për këshillat, faleminderit për gjithë këto vite të suksesshme”,- ka thënë Iniesta.

Xavi që ka shpërthyer në lot, ka falendëruar të gjithë trajnerët dhe shokët e skuadrës, ndërsa ka thënë se shpreson që një ditë të kthehet sërish te Barcelona.

“Dua të falendëroj të gjithë lojtarët dhe tifozët, jam shumë mirënjohës. Trofetë nuk janë asgjë, me atë çfarë ndjej unë për këtë skuadër dhe për shokët që po lë këtu. Uroj që kjo të mos jetë një ‘lamtumirë’, por një ‘mirupafshim’. Dua të falënderoj Enriquen dhe Zubizarretan që në fund të sezonit të kaluar më bindën të qëndroj edhe për një vit”,- është shprehur Xavi.

Në këtë konferencë nuk kanë marrë pjesë Lionel Messi, Ter Stegen, Gerard Pique, Ivan Rakitic dhe Rafinha. Pas një postimi në Instagram, Messi ka sqaruar se nuk kanë pasur mundësi të jenë pranë Xavit, pasi ata ishin zgjedhur nga UEFA për të bërë kontrollet anti-doping.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel