Ukrainë, rikthehen luftimet në Lindje, shkëmbim zjarri mes ushtrisë dhe rebelëve

03/06/2015 00:00

Frika për rikthimin e luftimeve mes forcave qeveritare të Kievit dhe rebelëve pro-rusë në Lindje të Ukrainës është rikthyer së fundmi më e madhe se kurrë.

Zyrtarët nga të dyja anët pohojnë për mediat ndërkombëtare se shkëmbimet e zjarrit janë përshkallëzuar dhe se këtë herë është përfshirë edhe artileria e rëndë dhe tanke.

Zona ku raportohen përleshjet është në Maryinka dhe Krasnohorivka, pranë qytetit të Donetskut, që ndodhet nën kontrollin e separatistëve.

Në qytetet e kontrolluara nga ushtria ukrainase raportohen të plagosur dhe flitet që ka edhe viktima.

Përleshjet mes trupave qeveritare dhe rebelëve janë përshkallëzuar javët e fundit, duke vërtetuar edhe njëherë brishtësinë e armëpushimit të arritur në muajin shkurt mes palëve.

Qeveria ukrainase, NATO dhe gjithë udhëheqësit perëndimore janë në një mendje; ka prova të qarta se Rusia po ndihmon rebelët me armë të të gjitha llojeve dhe me trupa në Luhansk dhe Donetsk.

Moska mohon këto akuza, megjithëse këtë herë me një tjetër justifikim. Fillimisht Kremlini këmbëngulte se nuk kishte gisht në konfliktin në lindje të Ukrainës, ndërsa më vonë, i vendosur përballë fakteve të Kievit dhe Perëndimit, doli me një deklaratë ku tha se ushtarët rusë të zënë rob në luftimet në Ukrainë janë vullnetarë, jo trupa të ushtrisë ruse.

Më shumë se 6400 vetë kanë gjetur vdekjen që nga nisja e luftimeve në Ukrainën Lindore, që shpërthyen prillin e vitit të kaluar, pasi moska aneksoi Gadishullin e Krimesë.

Top Channel