Jorida: Kur menytë i përgatis bashkë me djemtë e mi

03/06/2015 00:00

Të gatuash me fëmijët mund të jetë një nga momentet më të mira për të kaluar një kohë cilësore me ta. Gatimi është si ndërtimi. Një punë e përbashkët, që të shijon, për më tepër kur edhe receta është e shijshme.

Jorida, konkurrente e “MasterChef Albania 1”, teksa prezanton recetën e saj, tregon se, sa herë që i jepet mundësia, i vë djemtë e saj, Gregorin dhe Denin, të gatuajnë.

“Sa herë që na jepet mundësia, më së shumti në fundjavë, sepse jemi më të lirë nga aktivitetet e përditshme. Fundjava është një mundësi më e mirë për të eksperimentuar gjëra të reja, për t’i bërë ata të ndihen të lumtur. Nëse ka disa pjata, që fëmijët nuk i konsumojnë, kjo është një mundësi, që ata të shijojnë më tepër ushqimin”, thotë Jorida.

Është një aktivitet shumë i rëndësishëm, pasi kënaqësia dhe zbavitja, që provojnë duke gatuar, është e dobishme dhe çlodhëse njëherazi.

“Është pjesë e bukur, edhe pse bëhet një rrëmujë në guzhinë, kalimi i një dreke fantastike, apo e një fundjave, ndryshe nga përditshmëria. Është çlodhje edhe për mua”, pranon Jorida.

Meqenëse Jorida e ka shumë pasion gatimin, ajo kërkon t’ua përcjellë këtë dhunti edhe fëmijëve, pavarësisht se janë djem. Kjo bëhet edhe më e lehtë, kur janë edhe fëmijët që kanë dëshirë të angazhohen në gatim, me mamanë e tyre.

“Ushqimi është një pjesë shumë e rëndësishme në shtëpinë tonë. Duke qenë se ata janë të vegjël dhe kanë nevojë të ushqehen mirë, gjithashtu i bën të rriten më shëndetshëm. Tani kanë nisur të më bëjnë menynë që në mëngjes. Më thonë ‘mami do gatuajmë këtë sot’. Duke parë dashurinë që kam për gatimin, vetvetiu ata influencohen nga unë, kanë qejf të ndihen të rritur”, tregon Jorida.

Të edukosh fëmijën me përgatitjen e ushqimeve, pjatave të ndryshme, do të thotë të favorizosh dhe stimulosh kohën e tyre. Sigurisht që, kjo sjell devotshmërinë dhe avantazhe te zhvillimi dhe rritja e fëmijës.

“Fëmijët, duke eksperimentuar gjëra të reja, marrin përvoja të reja dhe rrisin vetëvlerësimin te vetja, madje edhe stimulohen. Duke qenë se ushqimi është pjesë e rëndësishme e drekës, ka të bëjë me rritjen dhe zhvillimin e trurit, i ndihmon të zbulojnë se, nëse do u pëlqejë kjo në të ardhmen, do të dinë të bëjnë përzgjedhjen e ushqimeve më të mira”, u shpreh Jorida.

Në fund e mbyll me “Do t’ua rekomandoja të gjitha nënave, që të stimulonin fëmijët e tyre në guzhinë, sepse është një kohë e vyer, që nuk do ta gjenin sërish”.

Top Channel