Kush tha se rrjetet sociale përdoren vetëm nga njerëzit? Një dekadë më parë, Marc Zukerberg nuk do ta mendote kurrë se krijimi i tij, Facebook, një ditë do të përdorej edhe për kafshët.

Mace me llogari në Twitter, Instagram, Facebook apo deri në një adresë “e-mail”-i.

Qen të racave të ndryshme, pronarët e të cilëve publikojnë foto gjatë aktivitetit ditor… Iguana, kanarina, peshq, si dhe breshka të vogla uji, të gjitha me llogari në rrjetet sociale.

Administratorët e profileve kujdesen që faqja të përditësohet me informacione dhe, sigurisht, foto nga më të çuditshmet.

Mace që festojnë Krishtlindjen, Vitin e Ri, madje edhe Shën Valentinin. Lidhja me pronarët është aq e fortë, saqë nuk kanë nguruar të identifikohen në llogari me emrat e kafshëve.

Tendenca nuk është vetëm dukuri botërore. Në Shqipëri, gjithashtu, vihen re profile në Facebook, Twitter etj., të kafshëve të ndryshme.

Gjithçka nis fillimisht si një lojë. Pasi hapet llogaria dhe publikohet fotoja e parë, të kap dëshira të publikosh gjithnjë e më shumë foto. Një gjë e tillë të shërben dhe për diçka tjetër.

Duke përdorur llogari të tilla, njerëzit diskutojnë dhe shkëmbejnë opinione për racat e ndryshme, qoftë ky shpend, kafshë apo peshk. Edhe pse nuk ngjajnë shumë serioze, profile të tilla numërohen me qindra.

Lidhje e fortë me kafshën? Publicitet i llojit të veçantë? Çfarëdo emri t’i vendosim, një gjë është fakt: llogari të tilla janë duke u shtuar nga dita në ditë.

Top Channel