Samiti i G7-s, priten trazira; SHBA paralajmëron forcat në Gjermani

03/06/2015 00:00

Ushtria amerikane ka urdhëruar forcat e saj me bazë në Gjermani që të qëndrojnë larg Mynihut gjatë këtyre ditëve, qytet i cili do të kthehet në qendrën e samitit të rëndësishëm të liderëve të grupimit G7, që do të mbahet në fundjavë.

Sipas autoriteteve vendase, parashikohen trazira nga protestues që janë kundër këtij samiti, ndaj edhe anëtarët e personelit amerikan, për të shmangur konfrontimet e pritshme, do të vishen si civilë dhe do të shmangin komunikimin në anglisht me zë të lartë në ambiente publike.

Pritet që kryeministri britanik David Cameron të bashkohet me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin Barack Obama në resortin e Alpeve bavareze “Schloss Elmau”, i cili ka nisur përgatitjet mikpritëse.

Por nga ana tjetër pritet që mijëra protestues kundër G7-s të zbarkojnë drejt zonës. Ndaj këtij mosbesimi të shprehur hapur, vetë kancelarja gjermane nuk mund të rrinte pa reaguar.

“Duhet bërë e qartë se G7 nuk është një grup i mbledhur për interesat personale të elitës. Kushdo që dyshon në logjikën e këtij samiti, thjesht duhet të hedhë një sy përtej për të kuptuar se ç’po ndodh. Kështu do ta kenë të qartë jo vetëm nevojën, por njëkohësisht do të kuptojnë edhe detyrën tonë për të punuar intensivisht në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”, deklaroi Merkel.

Duke iu referuar krizës në Ukrainë, avancimit të ISIS në Lindjen e Mesme dhe epidemisë se Ebolës, e cila u përhap në pjesen më të madhe të Afrikës, Merkel shtoi se në botë ka ende shumë çështje me rëndësi globale që duhet të trajtohen nga organizata me shtatë anëtarë.

Por në vazhdim kancelarja u shpreh se qëllimi i G7-s nuk është vetëm për të zgjidhur krizën globale, por është e nevojshme për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme ekonomike, e cila  mund të arrihet vetëm me “forcimin e tregtisë ndërkombëtare në bazë të standardeve të larta sociale dhe ekologjike”.

Top Channel