CERN riaktivizon përshpejtuesin e protoneve; synohet më shumë njohuri për materien

03/06/2015 00:00

Organizata Europiane e Kërkimeve Bërthamore (CERN) njoftoi këtë të mërkurë rinisjen e eksperimenteve me përshpejtuesin atomik, “Large Hadron Collider”.

Eksperimenti riaktivizohet për herë të parë pas dy vitesh dhe me anë të tij shkencëtarët e CERN shpresojnë të sigurojnë më shumë informacione mbi natyrën e materies.

Në testet e fundit, përplasja e protoneve në “Large Hadron Collider” do të ndodhë çdo 25 nanosekonda, që është më shpejt edhe se ajo e vitit 2012, kur u zbuluar grimca “Higgs”. Përmes një videoje, CERN ka ilustruar se si do të ndodhë përplasja.

Më 4 korrik të 2012-s, CERN njoftoi zbulimin e “Grimcës së Higgs-it”, e njohur ndryshe si “Grimca e Zotit”. Prezenca e një grimce të tillë, e hedhur në teori 50 vite më parë nga një fizikant skocez, shihet nga fizikantët si faktori që përcakton ekzistencën e materies, ashtu sikundër ne e njohim sot.

“Large Hadron Collider” ka një gjatësi prej 27 kilometrash dhe është i vendosur në zonën malore në kufirin mes Zvicrës dhe Francës.

Top Channel