Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takua të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me këshilltaren e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Susan Rice.

I kënaqur nga bisedimet, siç pohoi dhe vetë, kreu i ekzekutivit serb përcolli bindjen se mikpritësit e tij, përfaqësuesit e Uashingtonit, janë të kënaqur me stabilitetin politik në mbarë rajonin, ku Serbia, sipas tij, ka ndikimin e saj.

“Kërkuam një mbështetje më të madhe amerikane në rrugën europiane të Serbisë”, tha Vuçiç, i cituar nga “Zëri i Amerikës”.

Mendoj se do ta kemi përkrahjen e tyre për hapjen e një kapitulli të ri sa më shpejt të jetë e mundur, theksoi shefi i qeverisë serbe.

Biseduam për marrëdhëniet që ka Serbia në rajon, shtoi Vuçiç, për raportet që kemi me Prishtinën, më Shqipërinë, me Bosnjë-Hercegovinën. Një tjetër temë e prekur gjatë bsiedimeve, siç pohoi vetë ai, ka qenë diversifikimi i burimeve të energjisë.

“Detyra ime si Kryeministër është të siguroj gaz të mjaftueshëm për Serbinë për vitet 2019 dhe 2020 dhe këtë po bëj edhe këtu. Shpresoj se do të marrim shumë mbështetje nga SHBA, jo vetëm përsa i përket rrugës sonë drejt Bashkimit Europian, por edhe diversifikimin e mundshëm të burimeve të gazit për Serbinë dhe për vetë Ballkanin Perëndimor”, raportohet të ketë thënë Vuçiç.

Beogradi këmbëngul se vizita e kryeministrit serb në Uashington, duke përfshirë këtu dhe diskutimet që kanë të bëjnë me gazin, do të forcojë marrëdhëniet me Amerikën pa e distancuar ndërkohë Beogradin prej Rusisë.

Por a duhet të shqetësohet Moska?, – pyesin ekspertët. Analisti politik Al Gurnov mendon se linja e Serbisë për të ruajtur marrëdhënie të mira si me Rusinë, ashtu dhe me BE-në, tregon se ndërveprimin më shumë sesa etik që ky vend e sheh si instrumental.

“Serbia po vazhdon traditën e përpjekjes për të qëndruar në mes te Lindjes dhe Perëndimit dhe po tenton të kapitalizojë çdo mundësi që i ofrohet, duke mos punuar kundër asnjërës palë”, thotë Gurnov.

Kjo, sipas tij, u kuptua nga refuzimi fillimisht për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë e më pas nga vendimi për të mos marrë pjesë në projektin e naftësjellësit rus në Europën jugore.

Top Channel