Përcaktimi i vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi, shtyhet interpelanca me Thaçin

04/06/2015 00:00

Mali i Zi pretendon t’i marrë Kosovës 12 mijë hektarë tokë, kur të përcaktohet vija kufitare mes të dy shteteve. Bëhet fjalë për territore që, sipas hartës së vitit 1974, përfshijnë Bjeshkët e Rugovës dhe prona private të banorëve.

Kështu thonë të paktën përfaqësuesit e banorëve, që jetojnë në zonat kufitare me Malin e Zi. Disa prej tyre, të kryesuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi, u pritën këtë të enjte nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Jemi këtu të paraqesim brengën e banorëve, sidomos në pjesën e Rugovës dhe Podgurit, deri në pjesën kufitare me Istogun dhe Deçanin, ku kemi një ndërhyrje. Kjo, sepse tashmë kemi një propozim të Malit të Zi, i cili ka shkuar në një drejtim negativ, duke mos marrë në konsideratë faktet bazike. Në pjesën e Rugovës cënohen 7 mijë hektarë, të përcaktuar me hartën e vitit 1974, ndërsa komisioni shtetëror thotë se kanë punuar me hartën e ’88-s, që sipas tij është e njëjtë me atë të ’74-s, por që në fakt nuk është e tillë”, tha Ali Lajçi, vëzhgues në Komisionin e Kosovës për Përcaktimin e Vijës Kufitare të Kosovës me Malin e Zi.

Kryeparlamentari kosovar vlerësoi raportet fqinjësore mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ai nuk komentoi në detaje çështjen e përcaktimit të kufirit mes dy shteteve, por siguroi banorët se, për zgjidhjen përfundimtare nuk do të ketë kundërshtime.

“Ky takim i shërben një komunikimi dhe transparence. Qëllimi është të merremi vesh me një fqinj, me të cilin kemi raporte jashtëzakonisht pozitive; me qytetarët tanë, ndaj të cilëve kemi detyrime; dhe ndaj vendit tonë, në mënyrën që mos të kemi kundërshtime. Ndaj dhe nuk besoj, që do të ketë të tilla”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte pikë e rendit të ditës, edhe në Kuvendin e Kosovës, ku ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ishte ftuar në interpelancë.

“Kjo temë nuk ka ndonjë garë mes partive, por është serioze. Për të treguar që është serioze, populli thotë ‘toka me fjalë nuk i vyen kërkujt’. Zoti Thaçi, qeveria e Kosovës i kanë dhënë një tokë ‘me fjalë’ Malit të Zi, një tokë për të cilën nuk pajtohen pronarët e saj. Kosova dhe Mali i Zi i kanë kufijtë e vetë, i kanë pasur të përcaktuara më herët dhe këta kufij janë prej Jugosllavisë së dytë. Në rast se qeveria e Kosovës nuk e merr seriozisht këtë temë, qafa e Qokorrit, vija kufitare e ’74-s, majat e larta që i dinë të gjithë do të shkëputen. Atëherë, qeveria e Kosovës me vetëdije po ia krijon një problem të madh Kosovës”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Diskutimi në Kuvend për këtë çështje u shty për një kohë të pacaktuar.

Top Channel