Përplasje në Kuvend për Dzanashvilin. PD akuzon deputetët. Balla: Fund modelit “Argita”

04/06/2015 00:00

Emri i Amiran Dzanashvil, miliarderit gjeorgjiano-izraelit, ishte në krye të denoncimit opozitar në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend. Duke e cilësuar trafikant të dyshuar për pastrim parash edhe në Shqipëri, opozita vendosi theksin te fakti se, një ndër 4 përfaqësuesit ligjorë të Dzanashvil, sipas saj, është edhe bashkëshortja e Erion Veliajt.

“Ky personazh i njohur i krimit dhe mafies ndërkombëtare rezulton në Shqipëri i lidhur, sipas dokumenteve që sot janë në Prokurori, me deputetë, të cilët rezultojnë edhe ata me precedentë penalë. Ajola Xoxa, e cila në dokumentet që zotëron Prokuroria, rezulton si një nga përfaqësuesit me të drejta të plota ligjore në Shqipëri të Dzanashvilit”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

“Po është e vërtetë që modeli juaj ishte që, kushdo biznesmen që vinte në Shqipëri duhet të kalonte nga zyra e Argitës. Paguante 3%-shin te zyra avokatore e Argitës, dhe pastaj fillonte investimi. E harruat ju Zafar Ansarin, i cili erdhi në Tiranë dhe iu kërkua 3%-shi nga Argita? Apo harruar Damir Fazliçin, përsëri tek Argita?”, reagoi më pas nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Kjo seancë ka rikthyer replikat mes Berishës dhe Ramës, ku ndër shumë akuza për pasardhësin, ai ka denoncuar si kërcënues për shqiptarët rritjen e borxhit publik në masën 80 për qind.

“Çfarë bëre ti në dy vite, thuaju shqiptarëve! Kullën e turpit në zemër të Korçës. E urren çdo korçar. Vetëm për imitim të vetes së tij?”u shpreh deputeti demokrat Sali Berisha.

“Ndoshta 23 qershori ishte një goditje shumë e fortë, edhe nuk keni faj që s’e keni marrë veten ende, por mbase 21 qershori ju ftillon të kuptoni, që e keni lënë këtë vend pa opozitë dhe e keni kthyer këtë të fundit në një tufë njerëzish që mblidhen në Parlament dhe flasin përçart”, tha kryeministri Rama.

Momenti i tensionuar ka qenë vetëm një deklaratë nga vendi e ish-deputetit socialist Islami, ndërsa një tjetër nënvizim i Berishës për pyetjet e provimeve të maturës ka ndryshuar atmosferën në sallë.

Top Channel