Mbyllen hetimet ndaj HSBC, por Gjeneva gjobit bankën me 40 milionë franga zvicerane

04/06/2015 00:00

HSBC është gjobitur me një shifër rekord prej 40 milionë franga zvicerane nga autoritetet e Gjenevës. Kjo gjobë vjen për “mangësi organizative”, e cila ka lejuar pastrim parash në degë të bankës zvicerane.

Jornot ka bërë dhe deklarime thumbuese ndaj ligjit financiar të vendit të tij. “Kjo çështje tregon dobësinë e ligjit të Zvicrës lidhur me hyrjen e fondeve kriminale në sistemin financiar”, tha ai.

Gjeneva ka pranuar të mbyllë hetimet ndaj HSBC në këmbim të gjobës financiare, por Jornot thotë se ky ishte paralajmërimi i fundit për bankën duke thënë: “Kjo është një falje që do të përdoret vetëm një herë”.

Më 18 shkurt, Jornot urdhëroi bastisjen e zyrave të HSBC në Gjenevë, një ditë pasi Prokurori Federal i Zvicrës, Michael Lauber tha për mediat se nuk kishte ndonjë hetim për keqpërdorim në bankë. Lauber kishte deklaruar se nuk ishte e përshtatshme që shteti të niste një hetim ndaj HSBC, të bazuar në të dhëna të vjedhura.

Në një deklaratë HSBC tha: “Hetimi i drejtuar nga kreu i prokurorisë publike të kantonit të Gjenevës mbi HSBC Private Bank është mbyllur formalisht sot. Hetimi gjeti se as banka dhe as punonjësit e saj nuk janë të dyshuar për ndonjë vepër penale të tanishme. Prokurori i Gjenevës pranon progresin që banka ka bërë në vitet e fundit, përfshi edhe përmirësimin e funksionit të saj të pajtueshmërisë, proceseve të brendshme dhe teknologjisë”.

Top Channel