Basha, në Sarandë: Qeveria do t’i bindet verdiktit popullor

04/06/2015 00:00

Përpara se të niste takimin elektoral në Sarandë, Lulzim Basha çtensionoi situatën politike në qytet, kur u ndal në një nga çadrat kundërshtare.

“Si po kaloni? Si po ju ecën fushata ju?”,- ka pyetur të rinjtë e PS-së Basha. “Fuqishëm fare”,- ka qenë përgjigjja e një të riu, ndërsa kreu i PD-së, ka shtuar se edhe atyre është duke ju ecur fuqishëm, por ka thënë se u ngelet sarandiotëve që të vendosin ditën e zgjedhjeve.

Fuqia e Bashës në këtë fushatë duket se qëndron tek ajo që e përkufizon si, keqqeverisje, arrogancë dhe mashtrim elektoral.

“Ku janë paratë që mbledhin me taksat e larta, me çmimet e larta të energjisë, me akcizën e shtuar të naftës? A kanë ardhur investime në Sarandë me këto para? Zero investime. A kanë hapur kantiere pune? Zero kantiere pune. A kanë bërë ndonjë gjë për premtimin e tyre për shëndetësi falas? Kush nga ju i merr ilaqet falas në Sarandë? Kush nga ju kurohet falas?”, ka pyetur kryetari i PD-së, Basha.

Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se po tallet me shqiptarët në çdo takim elektoral.

“Mendon se duke bërë humoristin shqiptarët do ta harrojnë se në fakt ky është premtim pambajturi. Prandaj, 21 qershori nuk është ditë gallate, nuk është ditë estrade, është ditë llogarie për premtimet e pambajtura, është ditë llogarie për zhgënjimin e madh”, ka deklaruar Basha.

Programi i Partisë Demokratike për qeverisje në interes të qytetarëve iu ofrua edhe votuesve të majtë të Sarandës.

“Ejani t’i japim një mesazh të qartë dhe të prerë oligarkisë, që Saranda nuk ka dalë në shitje, që Sarandën nuk e blen dhe nuk e shet dot Koço Kokëdhima dhe klientela e tij, se Saranda ka qenë, është dhe do të mbetet e sarandiotëve, e këtij populli trim, fisnik dhe punëtor”, ka vazhduar kreu i PD-së.

Pse i duhet një votë plebishitare Lulzim Bashës për ofertën e tij të taksave të ulëta, për çmim më të ulët për energjinë dhe karburantet kur zgjedhjet janë lokale dhe jo politike?
 
“Nuk ka e nuk do të ketë qeveri që do mund të ndalë verdiktin popullor. Do ta pranojnë se s’bën se, kur populli flet, qeveria ka dy rrugëzgjidhje, të pranojë fjalën e popullit ose të largohet. Nuk ikën populli, ikën qeveria”, tha Basha. 

Këtë mesazh, Lulzim Basha e përforcoi edhe në takimet gjatë mbrëmjes në Bashkinë e re të Libohoves, ku u kërkoi demokratëve të punojnë derë më derë me çdo qytetar.

“21 qershori nuk është dhe nuk do të jetë kurrë ora e qeverisë, nuk është dhe nuk do të jetë ora e politikës, sepse 21 qershori është ora e popullit”, ka deklaruar Lulzim Basha.

Top Channel