Debat Meta-Bumçi për shit-blerjen e votës

04/06/2015 00:00

Përmes deputeti Aldo Bumçi opozita akuzoi mazhorancës se po përpiqet të blejë votat e shqiptarëve më 21 Qershor.

Bumçi tha se blerja e votës nuk është shqetësim i shprehur vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, si dhe vetë Kisha Katolike.

“Kisha Katolike, në konferencën ipeshkvnore, thotë se kush shet votën me çfarëdo çmimi, ka shitur nderin e vet dhe të familjes së tij dhe kush blen votën është i paskrupullt. Shit-blerja e votës fyen Zotin!”, tha Bumçi.

Deputeti demokrat u ndal më shumë në Bashkinë e Lezhës, ku sipas tij, mazhoranca po blen votat për kandidatin e saj, Viktor Tushe.

Akuzave të Bumçit iu përgjigj kreu i Kuvendit, Ilir Meta: “Ju keni dy muaj që keni ndaluar kandidatin tuaj në Lezhë të dalë në debat përballë kandidatit të mazhorancës. Nëse doni transparencë, dilni dhe bëni debate dhe tregoni se çfarë është bërë në Shënkoll dhe Lezhë. Edhe kandidati juaj të tregojë si e ka ndritur Shënkollin, të ndryshojë edhe Lezhën. Kaq! Të tjerat pastaj janë për të dëmtuar imazhin e zgjedhjeve”.

Top Channel