Shqipëria, atraksioni turistik që po preferohet gjithnjë e më shumë

04/06/2015 00:00

Turizmi shqiptar vijon të promovohet në mediat ndërkombëtare. Blogu “HolidaysPlease.co.uk”, e rendit Shqipërinë mes pesë vendeve që nuk janë preferuar shumë për pushime, por kanë një rritje të turizmit.

“Ju jeni duke planifikuar pushimet, dhe po mendoni për vendin, Shqipëria dhe Uzbekistani ndoshta nuk janë në krye të listës suaj, por janë destinacione që pritet të kenë rritje në udhëtime në 10 vitet e fundit. Një analist i TheWorld Travel and Tourism Council thotë se disa destinacione që nuk janë preferuar shumë, do të jenë pikat më të nxehta për pushime në dekadën e ardhshme”, shkruan HolidayPlease.

Në përshkrimin referuar Shqipërisë, blogu thotë se në kohën e komunizmit deri në vitin 1992, nuk ka pasur shumë turizëm, por 20 vjet më vonë turizmi ka nisur të marrë vrull.

“Shqipëria është shtëpia e tre sajteve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, me kodra të thyera, male dhe fortesa të vjetra. Njerëzit po e konsiderojnë Shqipërinë si një vend që duhet parë”, shkruan blogu, ku përmend edhe kthimin e ishullit të Sazanit nga një ishull ushtarak në turistik.

“Këto vende janë për njerëz me shpirtin e aventurës, që duan të shohin vendet më unike që ofron bota. Këto pushime përfundimisht do t’ju bëjnë të mburreni para miqve tuaj”, shkruan blogu “HolidaysPlease.co.uk”.

Veç Shqipërisë, si vende me atraksion turistik përmenden edhe Uzbekistani, Gaboni, Angola dhe Libani.

Top Channel