Juncker zhgënjen Greqinë. I paraqet Tsiprasit një tjetër listë me reforma, në këmbim të ndihmës

04/06/2015 00:00

Grekët kanë pritur me zhgënjim të madh rezultatin e takimit të kryeministrit Tsipras me kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, mbrëmjen e së mërkurës, kur pala greke, që kishte paraqitur propozimin e saj, ka marrë si përgjigje një listë me reforma më të ashpra në këmbim të ndihmës financiare nga kreditorët.

Zëvendëskryetari i Parlamentit grek komenton se, tashmë çdo gjë ndodhet në një udhëkryq të plotë. Ministri i Brendshëm, bashkë me kreun e grupit parlamentar, deklarojnë se e vetmja rrugë tashmë janë zgjedhjet për një mandat fuqiplotë, ndërsa thirrje për qëndresë ndaj kërkesave absurde të huadhënësve ka bërë ministri plotësues i Marinës Detare.

Nga ana tjetër, eurodeputeti i “Syriza”-s dhe zv.president i Parlamentit Europian ka theksuar se është detyrë patriotike mbështetja ndaj kryeministrit Tsipras, kurse deputetë të tjerë grekë kërkojnë që, pas këtij zhvillimi, Greqia të vonojë pagesën e detyrimeve të saj ndaj FMN-së.

Përveç titujve të shtypit grek, të zhgënjyer janë shprehur edhe qytetarët e thjeshtë, që ndjekin me shqetësim negociatat, të cilat vazhdojnë për gati 4 muaj, ndërsa skenarët për falimentim japin e marrin.

“Nuk jam dakord me këtë Europë. Kjo Europë është një kopje e keqe e SHBA-ve. Prisnim një Europë tjetër. Për fat të keq, megjithëse nuk jam mbështetës i Tsiprasit, por as i së djathtës, ai është tepër i pafat. I ra për pjesë një nga periudhat më të këqija”, tha Epaminondas Gardelis, qytetar i Athinës.

Pasi u ka thënë “Jo” propozimeve të fundit të kreditorëve, kryeministri Tsipras është kthyer në Athinë për të diskutuar zhvillimet e fundit me anëtarët e kabinetit të tij.

Huadhënësit e Greqisë kanë propozuar reduktimin e gati 200 mijë pensioneve të ulëta në vend, me rreth 200 euro; rritjen e TVSH me 10% më tepër në faturat e energjisë elektrike; reduktimin me 1.8 miliardë euro të subvencionimit shtetëror për sigurimet shoqërore; rritjen e TVSH-së në përgjithësi dhe, në veçanti, tek medikamentet mjekësore.

Ata kërkojnë gjithashtu tepricë primare 1% për këtë vit, 2% për 2016-n, 3% për 2017-n dhe 3.5% për 2018-n, kërkesa që janë quajtur absurde dhe të papranueshme nga pala greke, pavarësisht se Athina dhe kreditorët deklarojnë se negociatat e fundit ishin konstruktive.

Gjithsesi, qeveria greke, deri në orët e fundit, deklaron se do të paguajë të premten pjesën e parë të këstit prej 1.5 miliardë eurosh, që i detyrohet deri në fund të muajit FMN-së.

Top Channel