Rama mbështet Safet Gjicin në Kamëz dhe i përgjigjet ftesës së Halim Kosovës

04/06/2015 00:00

Duke prezantuar kandidatin Safet Gjici përballë banorëve të Kamzës, kryeministri Rama tha se rikthehej në këtë bashki me një premtim të mbajtur sipas kontratës që lidhi me ta përpara 23 qershorit; legalizimet falas.

“Jepi votën! Jepi votën! Jepi votën! E çfarë morët?! Me demek do legalizonte dhe po të fitonte Edi Rama do ju kthente andej nga keni ardhur. E kundërta doli e vërtetë. Fitonte ai, humbnit ju. Në katër vitet e mandatit të Safetit këtu në Kamzë, do t’i japim fund procesit të legalizimeve”- tha Rama.

Rama ka kërkuar votën e banorëvë të Kamzës per Gjicin, për të cilin tha se është një drejtues i sprovuar. Ndërkohë për Xhelal Mziun, Rama tha se e ktheu bashkinë vetëm për përfitime personale.

“Gjykata e Shkallës së Parë e ka nxjerrë fajtor, Gjykata e Apelit, çdo gjë mund të ndodhë…por nuk i dihet. Fajtor për grabitje të fondeve të taksave tuaja dhe sikur të mos kishte këto, çfarë bëri për Kamzën, përveçse u vuri rrugëve emrat më qesharakë në botë. Pyetja është, për rrugët e tjera, sa lekë ka marrë dhe nuk i ka shtruar?”- shtoi kryeministri.

Po ashtu Rama iu përgjigj për herë të parë edhe ftesës së Halim Kosovës për të pirë një kafe.

“Halimi pret deri në datën 22 qershor, se do fillojë punë në maternitet prap dhe është gjëja e duhur që do ndodhë”- u përgjigj Rama.

Pavarësisht se garon në një prej bastioneve të PD-së, kandidati Safet Gjici u shpreh besimplotë për ta përmbysur qeverisjen blu të Kamzës.

“Ne kemi projekte të mëdha dhe kryeministri më ka premtuar që do të ketë një bum investimesh në Kamzë, Paskuqan, Babrru, Bathore…”- tha Gjici.

Rama: Parku industrial i Durrësit, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. Meta: 500 vende të reja pune deri në tetor

Parku industrial i Spitallës në Durrës do të jetë një mundësi punësimi dhe zhvillimi real jo vetëm për durrsakët, por edhe për Vorën, Kamzën e Tiranën.

Kryeministri, i shoqëruar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u ndal në Vorë ku në fjalën e mbajtur tha se parku industrial i Durrësit do të jetë njëri prej më të mëdhenjve në Ballkan.

Pozicioni gjeografik e bëjnë Vorën një zonë ku punësimi është shumë herë më pranë, tha Rama, duke shtuar se, me parkun industrial të Spitallës, këto mundësi shumëfishohen.

Kryeministri u shpreh se të dhënat janë shumë inkurajuese për këtë viti.

“Nga janari deri në fund të majit në Shqipëri, importi i makinerive të prodhimit është rritur me 38 përqind, kjo falë edhe nga heqja e TVSH-së që bëri Qeveria”- deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Meta premtoi 500 vende të reja pune.

“Me pahir nuk çojmë njeri në punë. Çdo njeri për shkollën që ka, për formimin që ka do t’i japim 1-2 mundësi. Dhe për formimin profesional që ka do t’i krijojmë edhe një mundësi për një trajtim profesional që të gjejë veten në tregun e punës. Brenda tetorit do të hapim 500 vende të reja pune këtu në Vorë dhe do të ftojmë edhe ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës që të kuptojë se ne jemi nga ata që mbajnë premtimet”- tha Meta.

Top Channel