Interpelanca për Maqedoninë; Doda: Nuk përligjet heshtja. Bushati: Elitën e zgjedhin shqiptarët

04/06/2015 00:00

Mesila Doda zhvilloi pothuajse pa praninë e pjesës më të madhe të kolegëve të grupit të saj parlamentar, interpelancën me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Pjesa më e madhe e opozitës në Kuvend, si dhe drejtuesit e saj janë larguar gjatë kësaj interpelance kërkuar nga deputetja demokrate, pavarësisht se interpelancat me ministrat janë gjithmonë e më të pakta, e pavarësisht se ajo kishte në qendër zhvillimet në Maqedoni.

“Ne kemi dy shtete shqiptare në rajon, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Këtë heshtje dhe gjendjen, në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë, unë e quaj të papërligjur dhe të pajustifikuar. Këto momente të vështira, që ata janë duke kaluar, edhe pse duke pasur mundësinë që të kenë fqinje dy shtete, që janë duke shkuar drejt rrugës së demokracisë, duan një zgjidhje”, u shpreh deputetja Mesila Doda.

Ministri Bushati, teksa theksoi se dikasteri që drejton ndjek me përparësi zhvillimet në Maqedoni, rinënvizoi qëndrimin e Shqipërisë se kriza në Maqedoni nuk është ndëretnike dhe do të jetë në dëm të Shkupit, nëse mendohet kështu.

Por, nga ana tjetër, është e qartë – theksoi shefi i diplomacisë shqiptare, – se nuk është zbatuar as siç duhet dhe as sa ç’duhet “Marrëveshja e Ohrit”, duke nxitur shtetin fqinj të përparojë në këtë drejtim.

“Garanci për një ekzistencë të qëndrueshme e paqësore në një shoqëri ndëretnike, është trajtimi i barabartë, edukimi dhe shpërndarja e barabartë e të ardhurave e investimeve, përfaqësim politik i barabartë e i denjë, si dhe liria e plotë e përkatësisë etnike dhe identitare e të gjithë anëtarëve të asaj shoqërie”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Ministri i Jashtëm shqiptar dha edhe qëndrimin për zërat e përforcuar gjithmonë e më shumë të politikës, por edhe opinionit publik shqiptar e më gjerë, për të mbështetur një elitë të re drejtuese të shqiptarëve në Maqedoni.

“Qarkullimi i elitave politike i shërben shëndoshjes së jetës demokratike të një shoqërie, por ato duhet të jenë gjithnjë rezultat i proceseve të brendshme dhe nuk mund të vijnë nga sugjerime prej jashtë. Është populli shqiptar atje, janë votuesit atje, që përcaktojnë si rreshtimet politike, ashtu dhe udhëheqësit e forcave të tyre politike”, ka mbyllur fjalën e tij gjatë interpelancës, ministri Bushati.

Top Channel