Basha, me Dukën në Shijak: Vota për PD do të thotë ulje taksash dhe çmimesh

04/06/2015 00:00

Me Agron Dukën në krah, Lulzim Basha vizitoi disa biznese të vogla në Shijak, për t’u njohur me gjendjen e tregtarëve dhe për të shpjeguar pikat kryesore të programit të opozitës. Prioritet numër një është ulja e taksave, sepse – siç iu ankuan qytetarët, – taksat janë rritur, blerjet kanë rënë, listat nëpër dyqane janë shtuar.

“Është një gjendje shumë e rëndë, në Shijak dhe në të gjithë Shqipërinë. Siç e the edhe vetë – i referohet një shitëseje – edhe bukën po e marrin me listë”, u shpreh Basha. “Punën e listave prekim në çdo dyqan, në çdo ushqimore, edhe pse na akuzojnë neve sikur po mashtrojmë, por kjo është gjendja. Kemi për detyrë të tregojmë të vërtetën, ndërsa detyrë të dytë kemi zgjidhjen e gjendjes duke ulur taksat. Premtoi ulje taksash dhe i ka rritur, premtoi ulje të çmimit të energjisë dhe e ka rritur. Vetëm këtë po i kërkojmë, asgjë tjetër. Nuk po u kërkojmë të vijnë e të bëhen demokratë, por thjesht të fusin njerëzit në nevojë për ndihmë ekonomike në listën e kësaj ndihme, sepse ka hequr 18 mijë familje”.

Bashkia e Shijakut, tashmë ka në përbërje edhe shumë fshatra, ku sipas dëshmive të banorëve, asnjë nga premtimet nuk është mbajtur.

“Subvendione në bujqësi nuk kemi marrë, asnjë gjë, as kompensim për naftën”, tha një banor.

Sipas Lulzim Bashës, vota për Partinë Demokratike më 21 qershor do të thotë detyrim për qeverinë ose të ulë taksat, të ulë çmimin e energjisë dhe të karburanteve, siç ka premtuar, të falë kamatëvonesat, në mënyrë që t’i japë frymëmarrje ekonomisë në ngërç, ose të largohet.

“Nga kjo gjendje që po e prekim kudo, kuptohet që pasi e çuan ekonominë në stanjacion, tashmë po e fusin në recesion. Njerëzit kanë më pak lekë, blejnë më pak, ju shitësit qarkulloni më pak, nuk paguani dot faturat. Kjo e fut ekonominë në kolaps. Platformën që kemi nxjerrë, nuk e kemi shpikur në ajër, por është hartuar për të zgjidhur problemet tuaja. Kryesisht për uljen e taksës për biznesin e vogël dhe vendosjen e taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan”, u shpreh Basha.

Top Channel