Abuzimi seksual me të miturën shokon Divjakën. Drejtori i shkollës: Nxënësit, të sigurt

04/06/2015 00:00

Lajmi se një mësues 62-vjeçar dyshohet të ketë abuzuar seksualisht me nxënësen e tij 11-vjeçare, u ka ndryshuar rrjedhën e jetës shumë njerëzve në fshatin Kryekuq të Divjakës.

Demir Hoxha, me një përvojë 43-vjeçare në arsim, është tashmë nën akuzë për “marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe “shpërdorim detyre”.

Ka qenë një denoncim i mamasë së nxënëses së klasës së pestë, A.K., e cila ka nxjerrë në dritë ngjarjen. Në familjen e vajzës ka pllakosur heshtja. Jashtë kamerave, gjyshja e cilëson ndodhinë një “vdekje për së gjalli”.

Në shtëpinë e mësuesit të akuzuar, bashkëshortja e tij është ajo, që vuan më tepër. Deri para dy ditësh, kur dhe u arrestua i shoqi, ajo nuk do t’i besonte asnjë fjale të thënë në media. Sot është e lëkundur.

Ndërsa për drejtorin e shkollës, pavarësisht asaj që dyshohet të ketë ndodhur, shkolla që ai drejton mbetet një ambient i sigurt.

“Ne nuk kemi dalluar asnjë shenjë. Dhe jo vetëm ne, por edhe sikur një punonjës i SHISH-it të ishte mësues këtu te ne, nuk do të zbulonte asgjë. Mendoj se momentalisht është i sëmurë nga trutë e kokës, duke u kthyer kështu në në njeri anormal. Njerëzit anormalë mund të bëjnë çfarë të duan, por edhe përgjegjësinë e kanë individuale. Nuk diskutohet që përgjegjësi morale kemi edhe ne, por nxënësit këtu janë shumë të sigurtë”, tha drejtori i shkollës 9-vjeçare.

Top Channel