Ukrainë, Poroshenko jep alarmin: Ushtria të përgatitet për një pushtim me front të gjerë

04/06/2015 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka urdhëruar ushtrinë e vendit të tij këtë të enjte të jetë e përgatitur dhe e gatshme në çdo moment, për t’u përballur me një “pushtim të shkallës së gjerë” nga Rusia përgjatë gjithë vijës së përbashkët kufitare, vetëm një ditë pas përkeqësimit të luftimeve me separatistët e mbështetur nga Rusia pas shumë muajsh qetësi.

Fjalimi i tij para Parlamentit të Kievit ishte ishte edhe rasti i parë që Poroshenko ka përdorur termin “pushtim” për t’iu referuar sjelljes së Rusisë që prej nisjes së rebelimit të separatistëve në lindje të vendit, gjatë së cilës Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë vdekur mbi 6400 persona.

Duke iu referuar luftimeve 12-orëshe me artileri të rënda nga të dyja palët gjatë së mërkurës, kur Ukraina bëri të ditur se rebelët u përpoqën të merrnin qytetin e Marinkas, Poroshenko u shpreh se “ekziston një kërcënim kolosal për rikthimin e operacioneve ushtarake të shkallës së gjerë, prej grupeve terroriste ruse”.

“Ushtria duhet të jetë e gatshme, qoftë për një rikthim të ndonjë ofensive prej armiqve në rajonin e Donbassit, ashtu dhe për ndonjë pushtim të shkallës së gjerë përgjatë gjithë vijës sonë kufitare me Rusinë. Seriozisht duhet të jemi të gatshëm edhe për këtë”, deklaroi ai.

Ukraina dhe aleatët e saj në NATO kanë akuzuar prej një kohe të gjatë Rusinë se ka dërguar armatime dhe trupa ushtarake për të luftuar në emër të separatistëve, të cilët kontrollojnë pjesë të dy provincave kryesore industriale në lindje të vendit. Moska, e cila pushtoi dhe më pas aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë, vitin e kaluar, mohon të ketë dërguar trupa që të marrin pjesë në luftimet në lindje të vendit fqinj.

Armëpushimi i Minskut duket se është respektuar në pjesën më të madhe përgjatë 4 muajve të fundit, pasi separatistët shkelën fillimisht një tjetër marrëveshje paqeje duke nisur një ofensivë për të avancuar dhe për të shtënë nën kontroll më shumë territor në të ashtuquajturat “Republika të Donjeckut dhe Luhanskut”, zonë që Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur “Rusia e re”.

Kufiri i përbashkët Ukrainë-Rusi është mbi 2200 km, por shumica e kësaj vije është larg zonës ku janë zhvilluar luftime prej mbi një viti tashmë.

Më herët, zyrtarë të ushtrisë ukrainase bënë të ditur se 5 ushtarakë ishin vrarë dhe 39 të tjerë ishin plagosur në luftimet përreth Marinkas, 23 km në perëndim të Donjeckut të kontrolluar prej rebelëve. Ndërkaq, rebelët nga ana e tyre njoftuan për 21 të vdekur, 5 prej të cilëve civilë, dhe 16 të tjerët luftëtarë, si dhe akuzuan forcat ukrainase për bombardim pa dallim të zonave të populluara.

Top Channel