Shefi i Pentagonit, në Shtutgart për “strategjinë anti-Rusi”

04/06/2015 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, ka mbledhur mbi 20 krerë të lartë ushtarakë dhe diplomatikë amerikanë, të cilët ndodhen nëpër Europë, për të vlerësuar efektivitetin e strategjisë së NATO-s kundrejt Rusisë, si kundërpërgjigje e krizës ukrainase.

Mbledhja, që është njoftuar nga zyrtarë të Mbrojtjes këtë të enjte, pritet të zhvillohet në Shtutgart të Gjermanisë të premten, ku do të jenë të pranishëm udhëheqës ushtarakë amerikanë dhe ambasadorë me bazë në Europë, për të diskutuar mbi efektivitetin e sanksioneve dhe veprimeve ushtarake të Perëndimit për të frenuar Rusinë dhe për të ofruar siguri ndaj aleatëve të NATO-s.

“Ky takim synon të informojë Sekretarin e Mbrojtjes dhe të përforcojë bindjet e tij, përpara se të shkojë në ministerialin e parë të NATO-s, në fund të qershorit”, tha Brent Colburn, zëdhënës i Pentagonit. “Një prej fushave në fokus do të jetë pikërisht ‘veprimet’ e Rusisë përgjatë 18 muajve të fundit, përfshi edhe operacionet e tyre në Ukrainë”.

Aleatët e Perëndimit kanë vendosur ngrirje asetesh financiare dhe kufizime fluturimi në BE për një numër të madh zyrtarësh dhe kompanish ruse. Shtetet e Bashkuara nisën gjithashtu Operacionin me vendosmëri të lartë të Atlantikut (OAR), për të përshkallëzuar stërvitjet ushtarake me vendet anëtare të NATO-s në lindje të Europës. Për më tepër, SHBA-të kanë miratuar një shumë prej 1 miliard dollarësh për të mbështetur përpjekjet për të siguruar aleatët europianë.

“Qëllimi parësor është vlerësimi dhe përcaktimi i strategjisë sesi SHBA-të dhe aleatët kyç mund t’i konsiderojnë tensionet e përshkallëzuara me Rusinë gjatë vitit të kaluar”, tha një zyrtar amerikan i Mbrojtjes, i ndodhur në avionin e Carterit me destinacion Shtutgartin, ku pritet të zhvillohet takimi në bazën e “Komandës Europiane të SHBA-ve”.

I pyetur nëse në këtë takim do të diskutohet dhënia e armatimeve vdekjeprurëse ndaj Ukrainës, zyrtari tha se Carter është ende i hapur për të diskutuar këtë ide, ndaj dhe kjo çështje mund të diskutohet. SHBA-të, deri më tani i kanë rezistuar mundësisë së dhënies së armatimeve vdekjeprurëse, në mënyrë që të shmangë përshkallëzimin e konfliktit.

Takimi pritet të shqyrtojë gjithashtu edhe efektivitetin e sanksioneve ekonomike dhe ndoshta marrjen e hapave të tjerë jo ushtarakë, si dhe do të jetë parapri e tri takimeve të tjera më të rëndësishme të këtij muaji: ministerialit të NATO-s, samitit të G7-s dhe mbledhjes së Këshillit të Europës.

Top Channel