Halim Kosova: Nuk kemi frikë të bashkëpunojmë me qeverinë

04/06/2015 00:00

Doktor Kosova këmbënguli që t’i qëndrojë larg konfliktualitetit politik. Ai tha në takimin e rradhës se mund të pijë kafe në çdo moment me Ramen për interesa të qytetarëve, kjo për t’ju përgjigjur kryeministrit se kryebashkiakët e së djathtës kanë frikë të bashkëpunojnë me të.

“Jam gati, kur them kafe s’ka rëndësi kafe, me ujë të ulem në tavolinë me kryeministrin Rama, vetëm për të bërë më të mirën për qytetarët. Nuk e kam shaka, mos ma merrni për batutë. Ftesën e kam të sinqertë, për hir të qytetarëve”, është shprehur Kosova.

Dr. Halim Kosova u tha banorëve të rrugës “Qemal Stafa” dhe “4 Dëshmorët”, se projekti i tij përfshin çdo shqetësim të përditshëm të banorëve. Në turin e tij elektoral, ndryshe nga kandidatët e tjerë, dr. Kosova u fut në oborrin e një shtëpie ku takoi familjarët.

“Nga nuk kam shkuar në këmbë, sepse çdo lloj takimi që bën, çdo lloj ideje që merr, çdo lloj situate e papëlqyeshme që shikon ose çdo lloj mundësie që ti shikon për të bërë më të mirën, është një frymëzim, është një impuls, sinqerisht është një shplodhje ose një grumbullim energjish për ta filluar punën siç duhet mbas datës 21 qershor. E kam ndarë mendjen të kem më shumë përgjegjësi dhe të jem në shërbim të 1 milion banorëve”, tha kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës.

Doktor Kosova thotë se, më 22 qershor, do të ndihet menjëherë ndryshimi.

“Ndryshimi do të jetë i jashtzakonshëm. Në qoftë se me ato lekë që ka bashkia, bën kaq gjëra, unë them se do të bëjë dhe 40% më shumë, ky është sekreti im”, ka përfunduar ai.

Top Channel