Itali, politikanë mes 44 të arrestuarve. Manipulonin kontratat publike

04/06/2015 00:00

Policia italiane ka arrestuar 44 persona, shumë prej të cilëve politikanë, të gjithë të dyshuar për përfshirje apo lidhje me udhëheqësin e një grupi kriminal, që kishte manipuluar kontratat publike në Bashkinë e Romës, si dhe në rajonin përreth.

Oficerët e policisë kanë arrestuar politikanë nga të dyja krahet politike, e majta dhe e djathta, të cilët janë marrë në pyetje nga hetuesit, por mes tyre spikat Luca Gramazio, këshilltar rajonal i partisë “Forza Italia” të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, që akuzohet si ndërmjetës mes biznesmenëve të korruptuar dhe grupit mafioz.

Hetimi, i cili është udhëhequr prej policisë italiane Antimafia, është fokusuar gjithashtu edhe tek 21 të dyshuar të tjerë, bizneset apo zyrat e të cilëve janë bastisur nga oficerët e policisë. Arrestimet e kësaj të enjteje janë faza e dytë e hetimit, i cili më herët, në dhjetor të 2014-s, pati 37 të arrestuar të tjerë, mes të cilëve udhëheqësi mafioz, Massimo Carminati, si dhe një ish-kryebashkiak i Romës.

Grupi kriminal thuhet se është përfshirë në mënyrë të paligjshme në riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave në Romë, ashtu si dhe në mirëmbajtjen e parqeve publike dhe korsive të rrugëve për biçikleta, por edhe në rastet e reagimeve në emergjencat e fatkeqësive natyrore, zakonisht nga moti i keq.

Policia beson se, përveç kontratave të manipuluara të dhëna nga autoritetet bashkiake, rrjeti në fjalë komplotonte edhe në heqjen e parave “cash” nga qendrat e ngritura për të strehuar azilkërkuesit apo emigrantët e sapombërritur.

Grupi mafioz, “nëpërmjet praktikave korruptive dhe marrëveshjeve të fshehta, i siguronte vetvetes kontrata të shumta dhe financime nga rajoni i Lacios, Bashkia e Romës dhe bizneset e lidhura me këto institucione”, bëri të ditur policia përmes një deklarate.

Kryebashkiaku i Romës, Ignazio Marino, mirëpriti arrestimet, teksa tha se “politika në të kaluarën ka dhënë shembuj të këqinj, ndërsa sot, ne kemi njerëz të ndershëm, të cilët duan të kthejnë cilësinë e jetës dhe të gjitha të drejtat e dinjitetin që kryeqyteti meriton”.

Top Channel