Halim Kosova, në “Top Story” për programin, akuzat, sloganin…

04/06/2015 00:00

Beteja për Tiranën këtë radhë është shndërruar në thjesht një garë. Partia Demokratike kandidon një doktor, por shumë ndryshe nga ish-kryetari i saj, Halim Kosovën. Historia e gjinekologut që premton të bëjë një Tiranë tjetër, të ndryshme nga ajo e Bashës… Cili është programi i kandidatit demokrat, që ka zgjedhur një fushtatë ndryshe, një program ndryshe e madje edhe një slogan ndryshe?

Sokol Balla: Jam në pozitë të vështirë, pasi herën e fundit që kemi qenë përballë, po i bënit skanerin një të afërmit tim, tani unë duhet të të bëj ty skanerin politik. Dua të di çfarë ju shtyu të bënit këtë kërcim në një profesion të ri për ju?

Halim Kosova: Nëse do ta thoja shkurt, është që në profesionin e mjekut shumë kanë dalë, shumë janë kthyer nga jashtë dhe kam pasur mundësi që gjatë gjithë karrierës time të transmetoj ekipe të ndryshme dhe në një moment të caktuar, i thashë bashkëshortes që këtë ndershmëri, këtë fuqi ndryshimi që kam treguar përballë një Tirane, por çdo situatë tjetër që do kërkonte një kontribut më të madh, pse të mos e ofroj nëse kam mundësi? Jam pjesë e intelektualëve në Shqipëri, që nuk na pëlqen të shajmë apo që nuk japin zgjidhje. Në karrierën time më karakterizon marrja e përgjegjësive për diçka që nuk shkon. Fakti që atë përvojë të mirë që e ndërtova në spitalin publik, më ka shtyrë për të bërë një hap. Situata ka qenë kur m’u ofrua pozicioni i ministrit të Shëndetësisë…

Sokol Balla: Ishit i ndërgjegjshëm që puna juaj do të ishte afatshkurtër në shëndetësi?

Halim Kosova: Isha objektiv. Por e shihja si mundësi që të jap ca impulse se çfarë rëndësie ka njeriu i duhur në vendin e duhur. Në pak kohë tenderët janë bërë më lirë, kam mirëmenaxhuar fondet, kështu që pse të mos e bëj këtë përvojë për Tiranën? Një njeri që ka dhënë prova për kaq shumë vite, që ka qëndruar kaq shumë i qëndrueshëm, në një vend si ky i yni, unë e kam parë si një mundësi për të bërë më të mirën. Ky është motivi.

Sokol Balla: Menaxhimi i Tiranës është një ambicie më vete, që u kuptua më mirë pas viteve 2000. Kur doli plani juaj për të konkurruar? A është më i vjetër se oferta që ju bë? E kishit menduar më parë?

Halim Kosova: Je dëshmitar i mbikëqyrjes së shumë situatave në vendin tonë dhe duhet të jesh në dijeni që kjo është hera e tretë që mua më del emri për kryetar bashkie, dhe thonë e treta e vërteta. Tani mbaroi kjo punë, kot sa lodhemi. Ofertat e tjera që kam pasur, nuk i kam quajtur të mundura të bëja një hap, sepse familja ime varej nga puna ime jashtë orarit të punës. Një njeri është më i besueshëm kur ka dhënë prova, kontakte me njerëzit. Janë të pafund rastet kur kam ndihmuar njerëzit. Me këtë lloj bagazhi e figure jam përballë qytetarëve sot.

Sokol Balla: Karriera juaj politike ka qenë shumë e shkurtër, në 2 vjet keni qenë deputet, ministër e kandidat për Tiranën. Keni thënë që ua kanë propozuar të tjera, do kishit pranuar Partinë Socialiste?

Halim Kosova: Të bësh një hap për të lënë një profesion, nuk është se e kam lënë profesionin, por e di që sot është sistemi shëndetësor ai që mbron qytetarët, jo përvoja e mjekëve. Hapi që kam bërë është që të kem mundësi të ndërtoj një sistem shëndetësor për të mbrojtur qytetarët. Do përpiqem me qeverinë që të bëj më të mirën në këtë drejtim, edhe me zotin Rama.

Sokol Balla: Ju hyni si doktor, por kundërshtarët politikë ju kanë kritikuar…

Halim Kosova: Nuk i llogaris këto të fushatës dhe nisur nga përvoja, shumë pak kanë shpifur deri më tani.

Sokol Balla: Rama nuk e kurseu ironinë për ju pak ditë më parë, kur tha se doktor Halimi do bëjë punën që di të bëjë, punën e kryetarit të bashkisë është puna që di vetëm Erioni dhe vendin në maternitet, vetëm Halimi. Përse deshët të pinit kafe?

Halim Kosova: Nuk më vjen mirë për kryeministrin, por më vjen edhe keq kur i mbahet goja kur flet për mua. Kryeministri e di shumë mirë që unë nuk vij vetëm nga materniteti këtu. Unë kurrë nuk merrem me fjalë, me akuza, por vetëm me një fakt, të marr përgjegjësi për të rregulluar atë që nuk shkon. Sa herë që kam mundësi për të rregulluar dhe ofruar zgjidhje qytetarëve, asnjëherë nuk do përtoj. Jam në dispozicion të qytetarëve që të gjithë mirënjohjen që më kanë ofruar, t’ua shpërblej duke marrë akoma më shumë përgjegjësi. Asnjëherë nuk më pëlqejnë politikanët e analistët, sepse asnjëherë nuk japin zgjidhje.

Sokol Balla: Këto javë është normale që të kritikosh apo të të kritikojnë, të ironizojnë apo të ironizohesh, edhe ju nuk e kursyet ironinë tuaj ndaj Veliaj, kur në një takim gjatë një pyetjeje ju përmendet fshatin Fikas, në një mënyrë ironie ndaj Veliajt, që ka deklaruar se ka shitur fiq kur ka qenë fëmijë dhe a është e vërtetë që Veliaj ka lindur nga ju?

Halim Kosova: Nuk më kujtohet ky si i porsalindur. Mos e ngatërro përbaltjen me një humor me lezet. Kurrë nuk do të jem faktor përbaltjeje, as sot, as nesër dhe asnjëherë. Ka kaq shumë probleme sa nuk duhet të harxhojmë kohë, as për sharje, as për ofendime. Çdo kohë që mund të më duhet, e përdor me racionalitet për të bërë një të mirë për qytetarët që kanë shumë probleme.

Sokol Balla: Thatë që nuk i dinit shumë nga problemet që kishte Tirana, a jeni i vetëdijshëm që këto 4 vite ka qenë kryetar bashkie kryetari i PD-së? Në programin tuaj bëni kritikë, por e përmblidhni me një fjali, që duhet shumë punë. Çfarë nuk bëri mirë Basha?

Halim Kosova: Një fakt që e kam shumë të freskët, përfundimi është i thjeshtë se çfarë ka ndodhur një javë më parë. Vizituam një lagje egjiptianësh dhe sa futeshe ndjehej aroma e zymtësisë dhe varfërisë. Një nga takimet që më është mbyllur goja për të folur, kur pashë atë pamje aq të varfër. M’u afrua një pjesëtare e komunitetit egjiptian, dhe përnjëherë më  thanë një ankesë, të një burri të arrestuar se nuk mund të paguante dritat. E vetmja frymë që mund të sillte në shtëpi të ardhura ishte në burg se nuk kishte paguar dritat, jo të vilës, por të barrakës.

Sokol Balla: Mesa më kujtohet, ka qenë një nga aksionet e para të Bashës, që shmangu dhe eleminoi romët nëpër vendet ku mblidheshin mbeturina dhe tjetra, nuk mendoni që njerëzit duhet ta paguajnë energjinë elektrike?

Halim Kosova: Unë nuk merrem me analizën e punës, as të Bashës, as të Ramës, ashtu sikurse në jetën time, as mohoj meritat, as merrem me sharje e ofendime duke thënë që nis nga zero. Shoh çdo përvojë të mirë, të Bashës dhe Ramës, që mund të ketë ngel në hije. Nuk varet sesi i pari i punës nis diçka, por duhet një sistem i tërë që mund të devijojë nëse nuk e mbikëqyr.

Sokol Balla: A duhet apo jo shtetasit shqiptarë të paguajnë detyrimet që kanë dhe të përballen me pasojat nëse këtë nuk e bëjnë? Basha ka thënë që PD do të tentojë të ulë sërish çmimin e energjisë dhe të ndihmojë shtresat në nevojë…

Halim Kosova: Nëse unë marr vesh që ti nuk ke paguar dritat, ti i meriton sanksionet e ligjit, por për një rom që qeveria e ka braktisur…. Përpara se qeveria të të kërkojë ta paguash, duhet të të japë mundësitë që ti ta paguash. Unë jam për humanizëm dhe ligj. Ka shumë mënyra e mundësi që i jep një frymë tjetër që edhe ndihmon qytetarin.

Sokol Balla: Përse keni zgjedhur që slogani që ju keni në fushatë është ndryshe nga ai i PD-së? Dhe më duket sikur edhe zoti Basha është zhvendosur nga fushata juaj në Tiranë. Duket se bëni një fushatë që nuk duket sikur nuk doni të identifikoheni me PD-në…

Halim Kosova: Slogani i parë ishte punë dhe dinjitet. Përse e ndryshova? Punë dhe jo fjalë. Sepse kjo ka qenë gjithë jetën time. Maksimumi në jetën time kam thënë “të të rrojë” dhe “me jetë të gjatë”. Kam ndenjur 7 orë në operacion për një “faleminderit”.

Sokol Balla: Pavarësisht se nuk ka atë ngarkesën e madhe politike, kjo fushatë ka notat e saj politike.  Erion Veliaj në këtë studio ju drejtoi këto pyetje; çfarë mendon për Gërdecin? Çfarë mendimi keni për Sali Berishën për qeverisjen e tij? Faljen e detit nga Lulzim Basha? Dhe çfarë mendoni për 21 Janarin?

Halim Kosova: Po cfarë lidhjeje ka kjo me kandidimin në Tiranë? Le të thëm një hollësi. Kur ka ndodhur Gërdeci kam qenë në Zvicër. Kur më lajmëruan që ka ndodhur jam lidhur me maternitetin dhe kam kërkuar të lirohej salla dhe ta ktheja në qendër të ndihmës së shpejtë. Ktheva shoferët në punë, ambulancat ishin të gjitha në dispozicion.  Sa për Berishën kam mendimin më të mirë. Ai më la dorë të lirë për çdo projekt timin.

Sokol Balla: Ju mundoheni që t’i shmangeni debatit politik, për Gërdecin folët sesi do të menaxhonit krizën, por keni pasur një ftesë nga rivali juaj për debat?

Halim Kosova: E para nuk kam pasur kohë për të qendruar në shtëpi sepse kurrë nuk mund të ndërtosh një program real që të zgjidhë punë, nëse nuk njeh realitetin. Ky ka qenë sekreti im gjatë gjithë jetës time. Sa më shumë shoh gjëra, sa më shumë has vështirësi, sa më shumë shoh kryefjalën papunësi, aq më shumë motivohem për të gjetur një zgjidhje. Merrem me atë që kam përballë.

Sokol Balla:  Po ju keni 3 pyetje për Veliajn?

Halim Kosova: Nuk kam asnjë pyetje. Sa të gjej pyetjet për Erionin, gjej tri zgjidhje për qytetarët. Nuk dal këtu ca pyetjesh t’i bëj Erionit. Dal këtu për të marrë përgjegjësi dhe do vras mendjen si të zgjidh probleme.

Sokol Balla: Nuk i shmangemi dot nuancave politike. Këto ditë, PS ka kritikuar Bashën se i ka dhënë leje vetes së vet. Keni koment për këtë? Çfarë do bënit me këtë leje?

Halim Kosova: Nuk kam informacion për këtë. Nuk e kam dëgjuar, por për çdo gjë ka një ligj dhe brenda këtij ligji, çdo qytetar është e mira që të zgjidhen brenda këtij kuadri ligjor. Nëse Basha është kryetar bashkie, një tjetër shef i një furre buke, e rëndësishme për mua është brenda kuadrit ligjor dhe të mos abuzohet nga pozicionet e caktuara që ka njëri apo tjetri. Nëse dikush nxjerr në fushatë të dhëna personale, them se ka një ligj për këtë punë, nëse ka shkelje, ka prokuori për këtë punë, nëse është përbaljte kjo duhet të ndalet.

Sokol Balla: Jeni akuzuar edhe për ndërtimin e klinikës pa leje, e më pas keni kërkuar leje

Halim Kosova: Pa leje?! Asnjëherë! Klinikën e kam 20 vjet që e kam ndërtuar. Të gjithë qytetarët e dinë që kam kontakt me sistemin shëndetësor publik. Në 2004 më hoqën nga drejtori, nuk ishte një prej ditëve më të mira. Fakti është që Rama më ka ndihmuar, me ndërhyrjen e Blushit, fakti është që unë e kisha me hipotekë klinikën e parë, por figuronte pa hipotekë. Rama më ka ndihmuar, më dha një të drejtë, ndryshoi planin e lagjes për atë që më takonte. Tani mbi klinikë ka një ndërtesë prej dërrase. Kërkoj legalizimin e kësaj, dua vetëm kaq, nëse më takon, nëse jo e heq. Është më mirë të jesh transparent dhe sa më shpejt çdo njeri ta kuptojë këtë, aq më i suksesshëm do të jetë.

Sokol Balla: U duk një konflikt i ashpër me Vangjel Tavon para se ta zëvendësonit. Ju akuzoheni prej tij se keni keqmenaxhuar fondet, duke ja hequr Gjirokastrës dhe duke i çuar në vend tjetër.

Halim Kosova: Kur jam bërë ministër, drejtori më tha që këtë nuk e pranoj në punë, për një emër aty, e ka vendos Tavo. I thashë guxo ktheje, do respektosh firmën e ministrit një më një. Sa për Gjirokastrën? Nuk ka qenë vetëm Gjirokastra, ka qenë edhe Saranda. Në Gjirokastër ishte caktuar vetëm 30 përqind e çmimit për të mbaruar investimin në një rikonstruksion, ku projekti jo vetëm që nuk ishte bërë, por kishte shumë konflikte. Në dijeninë time, në dhjetor të 2014, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar projektin për Gjirokastrën. Drejtorit të Auditit i kam thënë që do nisej drejt Gjirokastrës. Mënyra sesi kam punuar është që fondet e lëna rrugëve, pa destinacion të caktuar, aq më tepër që nuk kishin projekt i ka bllokuar dhe i kam çuar diku tjetër.

Sokol Balla: A keni një qëndrim mbi ndërtimet në digën e liqenit?

Halim Kosova: Nuk mendoj vetëm si kryetar bashkie, por edhe si qytetar. Respektoj ligjin, në rastin konkret, ai është në një proces gjyqësor dhe unë nuk do t’i heq nesër asnjë presje atij vendimi të drejtësisë. Por për çdolloj ndërtimi në Tiranë, kurrë nuk do të lejoj që të preket interesi qytetar dhe i pronarëve.

Sokol Balla: Keni një mekanizëm për t’i bërë ballë presionit të ndërtuesve në qytet, që kanë mjete e duhura për të ushtruar presion ndaj kryetarit të bashkisë?

Halim Kosova: Ca punë janë shumë të thjeshta. Mjafton një rrugë transparente. Rruga është plani urbanistik i Tiranës, është ligj për çdo njeri, për çdo ndërmarrje, ndërtues dhe për çdo qytetar.

Sokol Balla: Erion veliaj thotë se do të rikthejë planin e Ramës për këtë?

Halim Kosova: Është bërë një konkurs ndërkombëtar për planin aktual…

Sokol Balla: Veliaj thotë që bulevardin e ri do të shndërrojë si Central Park në Nju Jork, ndërkohë që plani aktual e sheh si një lagje biznesi, mendimi juaj?

Halim Kosova: Duhet të ishte realitet. Ai plan është në të mirë të qytetit,  dhe mesa di unë bashkia ka fituar gjyqin dhe ka ngelur vetëm një firmë elektorale e ministri të Financave.

Sokol Balla: Veliaj ka thënë se Tirana ka një kamp për parkingje nëntokësor, ndërkohë që ju keni deklaruar ndërtimin e parkingjeve edhe mes pallateve aty ku ka mundësi…

Halim Kosova: Parkingjet janë nevoja të domosdoshme për qytetarët e Tiranës dhe unë jam për të parë të gjitha mundësitë.  A mendon që Shqipërisë i duhen ato vendstrehimet nëntokësore, që edhe po të kishte luftë nuk do të hynte njeri?

Sokol Balla: Keni marrë një shembull konkret, që një biznes i madh paguan 70 mijë euro, dhe premtoni ta ulni me 17 mijë, por është në diferencë e ndjeshme, dhe me efekt në buxhet. Në program thoni që këtë diferencë biznesi do të investojë në vende të reja pune. Çfarë mekanizmi mbikëqyrës do të keni ju që të siguroheni që ky biznes i madh do hapë vende pune dhe jo t’i shpenzojë kot?

Halim Kosova: Janë mbi 25 mijë biznese të vogla. Në 2013-2014 janë mbyllur mbi 5 mijë. Si kryetar bashkie në këtë situatë, ku jo vetëm nuk po hapen vende pune, por po mbyllen në masë biznese të vogla, familjare, unë do shoh mundësitë e mia që këtyre bizneseve t’u lehtësohet barra që u ka rënë për pjesë. Ka diferencime në biznes, në mënyrën e taksimit, ku njëri trajtohet si i nënës dhe një si i njerkës. Ku ka vështirësi, taksa të larta, mungesa shërbimi, aty ka korrupsion.

Sokol Balla: Si do krijoni 24 mijë vende të reja pune nga politikat bashkiake? 10 mijë vende pune të tjera, të rinj që punësohen përmes praktikave dhe trajnimeve bashkiake?

Halim Kosova: Në tiranë ka biznes të vogël ka edhe biznes të madh. Kam takuar pronarë biznesesh të mëdha për mundësitë e rritjes së punësimit, përmes uljes së taksave, lëshimit të ambienteve me qira të ulët etj

Sokol Balla: Me ndarjen e re, Tirana bëhet një minishtet, ku ka shumë zona rurale. Çfarë do bëni për të futur qytetin në fshat? Ju keni caktuar një nënkryetar për këtë…

Halim Kosova: Po ne kemi Besnik Aliajn, për këtë…

Sokol Balla: Po por besnik Aliaj ka deklaruar fillimsiht votoni Gjergj Bojaxhi, siç duket ja paskeni ndryshuar mendjen?

Halim Kosova: Tani mos të kaloj tek PS unë se është listë e gjatë. Të të them një gjë mbajë mend kur të kapet Rama duke votuar për mua.

Sokol Balla: Pse do të votojë Rama ju dhe jo Erion Veliajn?

Halim Kosova: Mbaje mend kur…

Sokol Balla: Ju keni premtuar një spital, por sistemi shëndetësor nuk është në dorë të bashkisë?

Halim Kosova: OBSH ka disa vite që ka lançuar nismën qytete të shëndetshme dhe në këtë ka edhe spitalin bashkiak, që një kandidat për bashkinë e Tiranës e sheh apo jo, varet a do t’i shërbesh njerëzve apo t’u bësh bisht halleve. Nuk e quaj utopi, e quaj sfidë këtë.

Sokol Balla: Rama ka thënë që mund të pini kafen pas datës 22. Ishte me ironi, që do t’u takonte si mik të materniteti.

Halim Kosova: Miqësinë nuk na e prish gjë ne. Megjithatë unë nuk jam të materniteti. Më ngatërron. Unë jam Halimi dhe me mua e pi kafen vetëm tek bashkia.

Sokol Balla: Keni një profesion të nderuar, të vështirë, pse duhet t’u besojnë votën ju për Tiranën?

Halim Kosova: Këtu është punë menaxheri, ndershmërie, papërtueshmërie. Kam punuar ditë e natë për një “faleminderit”.

Top Channel