Zjarri u merr jetën 175 personave në kryeqytetin e Ganës

05/06/2015 00:00

Të paktën 175 persona kanë mbetur të vdekur, pas rënies së një zjarri në një pikë karburanti në Akra, kryeqyteti i Ganës.

Prej ditësh zona ishte përfshirë nga reshje të dendura të shiu që u shoqëruan me përmbytje të mëdha dhe njerëzit kishin mbetur të bllokuar në një pikë karburanti, e cila u përfshi nga një zjarr i madh.

Presidenti i vendit, John Dramani Mahama shkoi në vendngjarje dhe e cilësoi atë si një “katastrofë të paparë ndonjëherë”. Ai shpalli 3 ditë zie kombëtare.

Presidenti u zotua se do të merrte masa të menjëhershme për prishjen e ndërtimeve në zona të palejuara, që duket se kanë qenë edhe shkaku kryesor i përmbytjeve në këtë rast.

Pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit dhe shefave të sigurisë, qeveria tha se ka akorduar një fond rreth 14 milionë dollarë për të ndihmuar familjet e përmbytura.

Top Channel