Skandali me rimbursimin e ilaçeve, pranga 2 zyrtarëve dhe 5 farmacistëve

05/06/2015 00:00

Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar ndalimin e 7 personave, dy prej të cilëve zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, si të dyshuar për krijimin e një skeme të madhe mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve. Kjo skemë, në bazë të një vlerësimi paraprak, i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 56 milionë lekësh.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për këtë rast për veprat penale të “mashtrimit me subvencione”, “falsifikimit të dokumenteve shëndetësorë”, “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Prokuroria ka vendosur ndalimin për shtetasit: E. Mara (juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit), K. Mahmutaj (punonjëse pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit), H. Roci (administrator i farmacisë, Lundër), M. Tufi (drejtuese teknike e farmacisë Lundër), N. Thanasi (drejtues teknik i farmacisë “Nutrimed”), A. Spahiu (drejtues teknik i farmacisë Bërzhitë) dhe A. Manaj (drejtuese teknike e farmacisë “Adelina”).

Hetimi po vijon për persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Top Channel